Gërvalla i reagon Lajçakut: Reciprociteti do të mbetet realitet, Kosova s’ka ‘shtyrë’ asgjë

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla Schwarz, i ka reaguar emisarit special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, pasi ky i fundit mirëpriti vendimin e Qeverisë për të shtyrë masën e reciprocitetit ndaj targave dhe letërnjoftimeve të lëshuara nga Serbia deri më 1 shtator.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Gërvalla Schwarz ka thënë se reciprociteti do të mbetet realitet dhe Kosova s’ka ‘shtyrë’ asgjë.

Sipas saj, faktet mbeten fakte dhe se ky shtyrja e vendimit për reciprocitet do të zbatohet vetëm nëse hiqen barrikadat.

“Faktet mbeten fakte. Kosova ka rënë dakord me propozimin e SHBA-ve dhe në përputhje me BE-në. Ne ramë dakord për një shtyrje deri më 1 shtator 2022, por vetëm nëse barrikadat hiqen deri më 1 gusht. Reciprociteti do të mbetet realitet, Kosova nuk ka “shtyrë” asgjë, rregullorja për letërnjoftimet ka hyrë në fuqi nga mesnata”, ka shkruar Gërvalla.