Gërvalla: Nuk kemi hasur në rezistencë që rrezikon hyrjen e Kosovës në Këshillin Evropian

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka folur për ecurinë e procesit të hyrjes së Kosovës në Këshillin Evropian.

“Ne kemi mbështetje madje edhe me shkrim të shumë shteteve anëtare të Këshillit të Evropës. Pasi kam dorëzuar dokumentin, kërkesën për anëtarësim, kam pasur një takim me ambasadorin e vendeve anëtare të Këshillit të Evropës në Strasburg dhe biseda ka qenë dyorëshe, shumë e hapur, në të cilën janë shkruar të gjitha pyetjet e mundshme për shkak se në një fazë të tillë të rëndësishme, ambasadorët, përfaqësuesit e shteteve në këshill të Evropës, janë shumë të rëndësishme në proces, sepse ata janë që e përcjellin procesin hap pas hapi”, ka thënë Gërvalla në konferencë për media.

Gërvalla ka folur për lëvizjet që po i bën Kosova, dhe ka shtuar që deri tash nuk ka hasur në rezistencë që do ta rrezikonte procesin.

“Një nga një janë çuar ambasadorët e shteteve të cilat e kanë njohur Kosovën dhe kanë shprehur përkrahjen e tyre, ka pasur madje edhe ambasadorë të shteteve të cilat nuk e njohin Kosovën formalisht, të cilët kanë shprehur që anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është një hap shumë i mirë jo vetëm për Kosovën por edhe për mekanizmin në vetvete, por edhe për Evropën, ky është një proces i gjatë, ky proces duket kështu që ne madje [jemi takuar] me secilin deputet veç e veç të asamblesë parlamentare sepse janë dy mekanizma të cilët marrin vendime me votë pra është asambleja parlamentare ku natyrisht jo pse shteti ka shprehur përkrahjen domosdo edhe secili anëtar i delegacionit të atij shteti në asamble parlamentare automatikisht llogarisin që do të na përkrahin me votën e tyre.

“Të gjitha misionet e republikës së Kosovës jo vetëm misioni i Strasburgut, por anembanë ku i kemi janë të angazhuar maksimalisht lidhur me këshillin e Evropës prandaj t’i kalojmë etapat hap pas hapi. Nuk kemi hasur deri tani në asnjë rezistencë të besueshme që na bëjnë të kuptojmë që procesi mund të jetë i rrezikuar”.

Ajo tha se në rast se ka dilema, atëherë nga ana e Kosovës janë shumë të hapur që t’i diskutojnë dhe eventualisht eliminojnë ato.

“Natyrisht që ne do t’i respektojmë të gjitha procedurat dhe do të jemi shumë të sinqertë dhe shumë të përkushtuar dhe seriozë gjatë gjithë këtij procesi, dhe ne shpresojmë që Kosova t’u takojë atyre shteteve të cilave u është dashur një kohë më e shkurtër për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës”.

“Ne me secilin shtet veç e veç, ne me secilin delegacion veç e veç do të punojmë shumë, dhe nëse lindin dilema të natyrave të ndryshme, ne do të jemi shumë të përkushtuar për t’i diskutuar ato edhe për t’i eliminuar”.