Gjakovë: E godasin me veturë, e më pas e rrahin me shufra hekuri

Gjykata Themelore në Gjakovë ka caktuar masën e paraburgimit për të dyshuarit H.B dhe F.B të cilët kishin tentuar ta vrasin viktimën I.A.

Sipas njoftimit të Gjykatës, mbrëmjen e së premtes të dyshuarit kanë tentuar ta privojnë nga jeta viktimën në fshatin Bec të GTjakovës, për shkak të disa mosmarrëveshjeve të mëhershme.

Të dyshuarit e kanë sulmuar viktimën me veturë, e më pas e kishin goditur me shufra metali.

“Me date 28.08.2020 rreth orës 19.20min, në fshatin Bec të Gjakovë, të pandehurit H. B. dhe F. B. me dashje tentojnë të privojnë nga jeta të dëmtuarin I. A. për shkak të disa mosmarrëveshjeve të mëhershme që kanë në mes vete. Ditën kritike të pandehurit furishëm e godasin me veturë të dëmtuarin I. A., pastaj nga ajo veturë kishin dalë dy të dyshuarit të cilët e kishin goditë me shufra metali dhe më pas ishin larguar nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

“Me këto veprime të pandehurit H. B. dhe F. B. dyshohen të kenë kryer veprën penale “Vrasja” e ngelur në tentativë, vepër kjo e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thekson njoftimi.

Ndaj të dyshuarve është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.