Gjendet e gjallë 4 vjeçarja e zhdukur në Australi

Një vajzë katërvjeçare e zhdukur prej 18 ditësh në një pjesë të largët të Australisë Perëndimore është gjetur e gjallë dhe mirë në një shtëpi të mbyllur, ka thënë policia.

Cleo Smith u zhduk nga tenda e familjes së saj në një kamping pranë qytetit të Carnarvon më 16 tetor, duke nxitur një kërkim masiv.

Një 36 vjeçar ndodhet në paraburgim dhe po merret në pyetje nga detektivët, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

Policia hyri në një shtëpi në Carnarvon në orët e para të së mërkurës, pas të dhënave mjeko-ligjore.

“Ata gjetën Cleon e vogël në një nga dhomat”, tha në një deklaratë zëvendëskomisioneri i policisë, Col Blanch.

“Një nga oficerët e mori në krahë dhe e pyeti: “Si quhesh?” Ajo tha ‘Emri im është Cleo’.

Vajza është ribashkuar me prindërit e saj, të cilët kishin bërë lutje të dëshpëruara për kthimin e Cleos.

“Familja jonë është sërish e plotë”, ka shkruar në Instagram nëna e saj, Ellie Smith.

Pamjet e policisë të shpëtimit të Cleos – të cilat nuk janë publikuar – e treguan atë “të buzëqeshur” dhe “ashtu siç mund të prisnim në rrethana”, tha komisioneri Chris Daëson, i cili shtoi se ajo po merrte kujdes mjekësor.