Gjermania mbështet vendimin e fundit të Kurtit

Vendimi i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për pezullimin pjesërisht të taksës ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, ka sjellë ndasitë e para në arenën ndërkombëtare.

I Dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, kritikoi vendimin e Kurtit për pezullimin pjesërisht të taksës. Kjo masë, sipas Z. Grenell, “Është një vendim jo i duhur dhe Albin Kurti po bën një gabim”.

Por, gazeta nga Shqipëria (Shekulli), ka arritur që të marrë një prononcim nga ana e qeverisë federale gjermane. Në Prononcimin e saj, Gjermania thekson se e mbështet vendimin e Albin Kurtit dhe se kjo masë është një hap drejt pezullimi të plotë të taksës.

“Qeveria Federale Gjermane, e shikon këtë masë si një hap drejt pezullimit të plotë të taksës 100 për qind, të vendosur nga ana e Kosovës kundrejt Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës, e cila duhet të jetë edhe qëllimi ynë final. Nga pikëpamja jonë, është shumë e rëndësishme që qeveria e Kosovës të arrijë marrëveshje për një qasje të përbashkët”, citon qeveria gjermane.

Reagimi i Bashkimit Europian dhe Britanisë së Madhe

Një reagim i rëndësishëm ishte ai i Kryeministrit të Britanisë së Madhe, Boris Johnson. Sipas një njoftimi të ambasadës britanike në Kosovë, Johnson, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe ka mbështetur vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Kryeministri mbështeti rinisjen e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës. Ai mirëpriti tërheqjen e pjesshme të Kosovës të tarifave ndaj mallrave nga Serbia dhe inkurajoi reagim pozitiv. Ai tha se Britania e Madhe do të vazhdojë të kërkojë me ngulm heqjen e plotë të tarifave”, thuhet në deklaratë.