Gjilani mbetet në Superligë, Besa sërish në Ligën e Parë

Ka përfunduar ndeshja e parë e barazhit mes Gjilanit dhe Besës, e zhvilluar në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.

Gjilan edhe për një sezon tjetër do mbetet pjesë e Superligës, pasi triumfoi me rezultat minimal ndaj pejanëve.

Pikërisht mysafirët e nisën më mirë takimin me Donat Sheqerolli që pati rast vetëm me portierin Haxhihamza, i cili reagoi në momentin e fundit.

Në minutën e 24-të, Keita Razak shënoi golin vendimtar të ndeshjes për ta mbajtur skuadrën e tij edhe një sezon në eliten kryesore të futbollit kosovar, shkruan lajmi.net.

Më pas, Gjilani pretendoi për një penallti, pasi sipas tyre Haxhaj kishte luajtur me dorë, por i këtij mendimi nuk ishte gjyqtari Maloku dy minuta para fundit të pjesës së parë.

Në minutat e fundit, Besa e mori në pronësi të plotë dominimin e ndeshjes, por nuk arriti të shënonte dot dhe kësisoj do ta shpenzojë edhe një edicion në Ligën e Parë.

Kujtojmë se më 1 qershor luhet ndeshja tjetër e barazhit, mes Vëllaznimit dhe Trepçës ’89.