Gjuriq: Për Serbinë, të enjten në Bruksel temë e parë do të jetë Asociacioni

Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, duke folur për takimin e nesërm në Bruksel, ka thënë se për palën serbe çështje e parë e agjendës do të jetë Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Këto komente Gjuriq i bëri pak pasi emisari special i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, njoftoi se të enjten në Bruksel Kosova e Serbia do të diskutojnë për çështjet financiare.

“Faleminderit për mikpritjen. Çështja e parë në agjendë nesër do të jetë Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Të paktën për palën serbe. Ajo për të cilën jemi pajtuar me ndërmjetësim të BE-së, shtatë vjet e gjysmë më herët. Po ajo”, ka shkruar ai në Twitter, përcjell lajmi.net.

Tutje, Gjuriq ka thënë se në agjendë mund të jenë edhe çështjet e pronave.

Gjatë ditës Hoti kishte përjashtuar që në Bruksel do të diskutohet për një Asociacion me kompetenca shtesë.

Ndërkaq presidenti Thaçi ka thënë se hapja e këtyre temave në Bruksel është e rrezikshme për Kosovën.