Gjykata Themelore në Prishtinë, dënon me tetë muaj burg të akuzuarin për “Vjedhje të rëndë”

Gjykata Themelore në Prishtinë, departamenti i përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit A.P për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.

Në një njoftim për media thuhet se i akuzuari A.P është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burg në kohëzgjatje prej 8 (tetë) muaj.

“I akuzuari A.P është akuzuar nga Prokuroria pasi që në vitin 2012 në Prishtinë, në lagjen Arbëria me qëllim që vetes ti sjellë përfitime pasurore në mënyrë të kundërligjshme kishte depërtuar në banesën e të dëmtuarit K.H dhe pasi kishte demoluar tërë banesën, nga aty kishte marr një llap-top në vlerë 950 euro, stoli ari në vlerë prej 160 euro dhe disa stoli argjendi, me ç ‘rast i kishte shkaktuar dëme materiale të dëmtuarit K.H”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil.

Ndërkaq, kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.