Gjykata vendos për tetë zyrtarët policorë që u arrestuan dje

Gjykata Themelore e Prishtinës ka marrë vendim për tetë zyrtarët policorë të cilët u prangosën ditën e djeshme pas një aksioni të policisë në koordinim me Inspektoratin e Policisë.

Gazeta Sinjali nga burimet e saj merr vesh se Bedri Januzit, Visar Shalës, Millosh Kovaçeviqit, Valon Bajqincës, Vedat Fetahut dhe Rexhep Selimit i është caktuar masa e paraburgimit. Kurse Marigona Gashit dhe Donikë Mjakut u është caktuar masa e arrestit shtëpiak.

Ndryshe, aksioni i djeshëm i policisë filloi në Stacionin Policor – Jugu, për të vazhduar më pas edhe në lagjen “Taslixhe” dhe në fshatin Bardhosh të Prishtinës. Përveç arrestimeve, pati edhe konfiskime të gjërave të ndryshme.

Policët e arrestuar dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ushtrim ndikimi, shit-blerje të drogës, falsifikim të dokumenteve zyrtare, marrje të ryshfetit etj.