Glauk Konjufca pritet të jetë kandidat i Vetëvendosjes për Kryetar të Kuvendit

Duke filluar nga ora 10:00 pritet të nis seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, pas zgjedhjeve të zhvilluara më 14 shkurt.

Në bazë të burimeve të deritanishme bëhet e ditur se kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Kuvendit të Kosovës do të jetë Glauk Konjufca.

Konjufca edhe më herët ishte emëruar Kryeparlamentar, ndërsa më vonë drejtoi Ministrinë e Punëve të Jashtme derisa si deputet i Kuvendit të Kosovës ishte për disa legjislatura radhazi, shkruan lajmi.net.

Ndërsa në njoftimin e Kuvendit të Kosovës drejtuar mediave u bë e ditur se sot pritet të jetë tri pika të rendit të ditës.

Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve,

Dhënia e betimit të deputetëve,

Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit.

Seanca e sotme do të drejtohet nga deputeti më i vjetër i legjislaturës së tetë me radhë të Kuvendit të Kosovës si dhe nga deputeti më i ri në bazë të moshës.

Drejtimi i seancës nga këta dy të fundit pritet të bëhet deri në momentin e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit si dhe nënkryetarëve.

Në nenin 9 pika 1 të rregullores së Kuvendit thuhet gjithashtu se në rast se ata mungojnë ose refuzojnë kryesimin e mbledhjes atëherë angazhohen deputetët të cilat sipas moshës vijnë menjëherë pas tyre.

Pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës pritet që t’i hapet rrugë edhe formimit të Qeverisë së Re të Kosovës, e cila pritet të udhëhiqet nga Albin Kurti, lider i Lëvizjes Vetëvendosje partia fituese e këtyre zgjedhjeve.

120 deputetë do të jenë pjesë e kësaj legjislature si në ato të kaluarat, ku VV do të ketë 58 ulëse, PDK 19 ulëse, LDK 15 kurse AAK do të ketë vetëm tetë ulëse.