Kapiteni flet para ndeshjes së rëndësishme kundër Malit të Zi

Kapiteni Samir Ujkani ka thënë se ndeshja kundër Malit të Zi nuk do të jetë aspak e lehtë për Kosovën.

‘Dardanët’ më 7 qershor (e premte) zhvillojnë ndeshjen e radhës kualifikuese për Euro 2020, ku në Podgoricë do të jenë mysafir të Malit të Zi.

Ujkani në konferencë për media gjatë ditës së sotme (e mërkurë), ka thënë se ndeshja kundër Malit të Zi do të jetë shumë e vështirë, por se Kosova është përgatitur mirë dhe shumë.

“Do të jenë dy ndeshje shumë të rëndësishme për ne. Sigurisht ndeshja kundër Malit të Zi është një ndeshje e madhe dhe e vështirë, por ne jemi përgatitur mirë dhe kemi punuar shumë. Atmosfera është e mirë dhe jemi në rrugë të mbarë”, ka deklaruar Ujkani, përcjell ‘lajmi.net’.

“Por, tash mbetet që të premten ta tregojmë veten dhe të nxjerrim rezultat pozitiv. Të gjithë po punojmë për njëri-tjetrin. Kemi mungesa të rëndësishme, por kanë ardhur djemtë të ri dhe konkurrenca është rritur shumë, andaj besoj se nuk duhet të jetë problem për ne mungesa e disa futbollistëve”, ka theksuar Ujkani.