Goran Rakiq kërcënoi nga Beogradi me bllokim të rrugëve në veri | A do të kthehet në Kosovë si ministër i Kurtit?

Kryetari i Listës Serbe, njëherësh Ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiq, pas takimit me presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Beograd, ka paralajmëruar bllokimin e rrugëve në veri të Kosovës, nëse Kosova ndërmerr ndonjë veprim për konfiskimin e makinave me targa serbe.

“Nëse Prishtina fillon me dhunë, me ndonjë veprim lidhur me konfiskimin e automjeteve, ne do të bllokojmë të gjitha vendkalimet dhe hyrjet nga veriu drejt Kosovës qendrore”, tha Rakiq në një konferencë për media në Beograd.

Rakiq tha se Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i është thënë se nëse “Forcat e Sigurisë së Kosovës, njësitë speciale të policisë apo dikush tjetër fillon të konfiskojë pronën tonë dhe prona tona janë pikërisht targat që janë arsyeja e takimit, ne do të përdorim të gjitha mjetet në mënyrë demokratike dhe paqësore, për të rezistuar dhe do të jetë rezistenca e popullit”, shkruan Demokracia.com.

“Kur themi rezistencë paqësore demokratike të popullit, ne me të vërtetë atë e duam, por nuk e di se në çfarë do të shndërrohet e gjitha dhe si do të zhvillohet situata në terren”, tha ai.

Rakiq kërcënoi hapur institucionet e Kosovës nga Beogradi.

Por, a do të kthehet Rakiq si ministër në Kosovë?

Nuk është hera e parë që Rakiq kërcënon institucionet e Kosovës.

Ai kishte kërcënuar me reciprocitet edhe pas vendimit të përbashkët pozitë-opozitë për kundërshtimin e mbajtjes së referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës.

Partia që Rakiq e përfaqëson i ka 10 ulëse në Kuvend dhe në shumë raste bojkoton mbledhjet e Kryesisë së Kuvendit dhe mbledhjet e Qeverisë Kurti, shkruan Demokracia.com.

Ministri në Qeverinë e Kurtit, Goran Rakiq, ka qëndruar edhe në ballë të barrikadave që ishin vendosur në shtatorin e vitit 2021 në rrugët e veriut të Kosovës për të kundërshtuar zbatimin e vendimit të Qeverisë për targat e automjeteve.

Ai kishte prezantuar para mediave kërkesat e njëjta me ato që prezantoheshin edhe nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Kurtit shumë herë i është bërë thirrje që të shkarkojë Rakiqin nga pozita e ministrit, pas deklaratave nxitëse, por deri më tani ai nuk e ka marrë një vendim të tillë, përkundër faktit që Rakiq shkon në Beograd dhe kërcënon Kosovën.

Kur ishte në opozitë, Kurti u bënte presion qeverive për të shkarkuar zyrtarët e Listës Serbe, të cilët bënin deklarata apo nuk tregonin lojalitet ndaj Republikës së Kosovës. Por, prej ditës kur është bërë kryeministër, Kurti po tregohet shumë i kujdesshëm me ministrat nga Lista Serbe.

Përkundër të gjitha këtyre, Rakiq vazhdon ta ushtrojë pozitën e Ministrit të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim në Republikën e Kosovës.