Grenell rrëfen prapaskenat para arrestimit të Thaçit: Palët ishin pajtuar t’i jepnin fund Gjykatës Speciale

Ish ambasadori i ShBA-ve në Gjermani dhe ish i dërguari special për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka bërë një varg postimesh në lidhur me disa prapaskena të kohës sa Thaçi ishte akteri kryesor në Kosovë.

Një prej pretendimeve të tij kryesore thotë që palët ishin pajtuar që t’i jepnin fund Gjykatës Speciale.

Grenell sulmoi në mënyrë specifike gazetarin Jose Pagliery që kishte shkruar artikullin në fjalë, sipas tij pa u bazuar në të dhëna.

“Jose-ja nuk mund të jetë aq budalla – ai duhet ta ketë një agjendë. Pyeteni veten – pse Jack Smithi e paditi Thaçin pak javë para se Trumpi t’i jepte fund punës së tij në Evropë? Dhe pas vitesh mospunë – pa asnjë detajë në aktakuzë?” – shkroi fillimisht z. Grenell.

Ai vazhdoi duke e cilësuar si “trillim” artikullin në fjalë, duke vënë pikëpyetje edhe mbi njerëzit që e kishin redaktuar atë.

“Akuzat (ndaj Thaçit) ishin krejtësisht të ndryshme për dallim nga aktakuza. Nuk ka detaje, data, emra. Ka vetëm spekulime politike. 20 vjet më vonë, dekada hetimesh, dhe asnjë detaj mbi aktakuzat?” – ka shkruar më pas Grenell.

Por, ai zbuloi edhe detaje mjaft interesante nga koha kur ishte prej njerëzve më të fuqishëm në politikën amerikane dhe kur Thaçi ishte prej njerëzve më të fuqishëm në politikën kosovare.

“Jack Smithi e paditi Hashim Thaçin pasi i thashë Bruce Schwartzit të Departamentit të Drejtësisë se palët ishin pajtuar t’i jepnin fund Gjykatës Speciale dhe Jack Smithi do ta humbte vendin e tij të punës (si kryeprokuror i Speciales). Thaçi po vinte në Shtëpinë e Bardhë për ta përfunduar marrëveshjen finale.” – rrëfeu Grenell në postimet e tij.