Greva prish unitetin e sindikatave të sektorit publik

Greva e paralajmëruar në gjithë sektorin publik, nuk po mbahet. Disa prej institucioneve, edhe pse i kanë përkrahur kërkesat e BSPK-së dhe SBASHK-ut, nuk i janë bashkuar bojkotimit të punës.

E për shkak të grevës, gjatë ditës janë krijuar radhë të gjata para aparatit digjital të Komunës së Prishtinës, të cilin qytetarët po e përdorin për të nxjerrë dokumente.

Radhë të gjata të qytetarëve janë krijuar para hyrjes së objektit të Komunës së Prishtinës.

Greva e përgjithshme në sektorin publik, ka bërë që gjithë këta persona të kërkojnë shërbime nga aparati digjital.

Situatë e njëjtë ka qenë edhe në disa prej institucioneve të tjera.

Çerdhet publike nga e enjtja po qëndrojnë të mbyllura.

Megjithatë, jo të gjitha sindikatat i janë bashkuar kësaj greve të Bashkimi të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Shëndetësia, gjyqësori, prokuroria dhe disa institucione të tjera po vazhdojnë normalisht punën.

Megjithëkëtë, ato kanë përkrahur kërkesat e BSPK-së dhe SBASHK-ut.

Kryetarja e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë, Tevide Imeri, tregon se punëtorët shëndetësor nuk do të përfitonin shumë, nëse do t’i hynin grevës.

“E kemi bërë një kalkulim që ndoshta njerëzit edhe e kanë keqpërdorë, sepse ne punëtorët shëndetësor i marrim 60 euro shtesë për shkak të gjendjes aktuale të përballjes me Covid-19, prandaj kur e kemi kalkulu se na duhet të hyjmë në grevë për 40 euro, për t’i bërë 100 euro sa ka kërku SBASHK-u”, ka thënë Imeri.

Në lidhje me këtë çështje, FSSHK-ja gjatë së enjtes lëshoi një komunikatë ku tregonte se nuk do t’i bashkohen grevës, komunikatë e cila Imeri thotë se u keqkuptua.

Kundër kësaj deklarate, e lëshoi një reagim Sindikata e punëtorëve të QKUK-së.

“Unë jam përgjegjës për atë që them, jo për atë se si kuptohet…. Andaj, si Sindikatë Sindikale e Punëtorëve të QKUK-së,ne nuk kemi kundërshtim me vendimin të cilin e ka marrë Federata e Sindikatave të Shëndetësisë, pasi ashtu siç e ka përmendur edhe kryetarja, kërkesat e SBASHK-ut nuk janë në interes të punëtorëve shëndetësor”, ka theksuar Duraku.

Tevide Imeri tregon se janë të kënaqur me trajtimin që pritet t’u bëhet punëtorëve shëndetësor me ligjin për paga.

“Ne jemi duke i shqyrtuar edhe ligjin për zyrtarët publik edhe ligjin për paga dhe konsideroj që shëndetësia nuk është rangu keq. Nuk është shumë shumë i kënaqshëm, por nuk është edhe për t’u ankuar dhe për ta hedhë poshtë”, ka shtuar Imeri.

Kërkesë kryesore e grevistëve është që punëtorëve të sektorit publik t’u ndahen nga 100 euro shtesë deri në miratimin e Ligjit për Paga, për çka deri tash nuk ka gatishmëri nga Qeveria e Kosovës.

Kjo e fundit u kritikua kur nisi evidentimin e grevistëve në institucione publike por t’ua ndal pagën me arsyetimin se greva është e jashtëligjshme./Dukagjini