Gruda: Albulena Haxhiu, ku janë mostrat e Astrit Deharit?

Koordinatori për Drejtësi në kuadër të Kabinetit për Qeverisje të Mirë në PDK, Përparim Gruda, ka reaguar ndaj Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Ai ka thënë se Ministrja Haxhiu, në kundërshtim me rolin e saj, është shndërruar në zëdhënëse të të akuzuarve për korrupsion, në një periudhë kur në Ministrinë që ajo udhëheqë janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit.

“Sot janë bërë 273 ditë, që nga 8 dhjetori i vitit të kaluar, kur në Ministrinë e Drejtësisë janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit. Për tetë muaj të plotë, ministrja Albulena Haxhiu ka dështuar të jap një sqarim të vetëm për familjen e Astritit dhe qytetarët e vendit”, ka shkruar Gruda.

Sipas tij, në vend të llogaridhënies dhe dhënies së përgjegjësisë, ajo po tenton të fshihet duke sulmuar prokurorinë. Ai ka thënë se ky nuk është qëndrimi i vetëm kontradiktor dhe jo profesional i kësaj ministre.

“Gjatë kësaj periudhe, ne kemi parë që përveç sulmeve direkte ndaj prokurorisë, ajo ka marrë në mbrojtje të korruptuarit e partisë së saj. Albulena Haxhiu, në kundërshtim me rolin e saj për të ruajtur dhe forcuar integritetin e organeve të drejtësisë, është shndërruar në një zëdhënese të të akuzuarve për korrupsion, Martin Berishaj, Nagip Krasniqin, Rozeta Hajdarin dhe të tjerët”, ka shkruar Gruda në faqen e tij në Facebook.

Në fund, Gruda ka thënë se deri sot, në 900 ditët e saj si Ministre, për fatin e keq të Kosovës dhe qytetarëve tanë, Albulena Haxhiu ka dëshmuar çdo ditë se si nuk duhet të jetë një Ministre e Drejtësisë.

“Ministre, ku janë mostrat e Astrit Deharit? #DrejtësiPërAstritin”, ka shkruar ai.