Grupet kosovaro – gjermane nesër mbajnë takimin e parë për vizat

Nesër do të mbahet takimi i parë i grupit punues që ka formuar Qeveria e Kosovës për bashkëpunim me Ministrinë Federale për Punë të Brendshme Gjermane, shkruan Gazeta Express.

Në kuadër të vizitës së delegacionit të Kosovës të udhëhequr nga kryeministri Ramush Haradinaj do të ndodhë edhe takimi i parë që është paraparë që të zgjasë tetë orë, e ku temë qendrore janë vizat për kosovarët, mëson Gazeta Express.

Ky takim vjen si rezultat i Samitit të Berlinit, e takimit që pati kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj me Ministrin e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Horst Seehofer.

Pas takimit, Haradinaj kishte deklaruar se Kosova ka marrë “Po”-në e Gjermanisë për vizat, derisa u tha se kanë diskutuar edhe për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve e rritje të bashkëpunimit Kosovë-Gjermani.

Pas kthimit nga Berlini, Qeveria mori vendim për krijimin e një grupi punues për bashkëpunim me Ministrinë Federale për Punë të Brendshme Gjermane dhe harmonizim të standardeve që ndërlidhen me liberalizim të vizave.

Kryesues i grupit është shefi i stafit të kryeministrit, Selim Selimi, derisa anëtarë janë, Rejhane Vuniqi, Lirak Qelaj, Altin Ademi dhe Dardan Koqani.

Pas takimit në Samit ishte bërë e ditur se kancelarja gjermane Angela Merkel e kryeministri ishin dakorduar për krijim të grupeve teknike që kur të ndodhë liberalizimi të mos humbet kohë me procedura.

Për vizat është diskutuar edhe sot në takimin që pati kryeministri me kancelaren gjermane. Para mediave, i pari i Qeverisë ka deklaruar se Kosova ka marrë edhe një herë konfirmimin e Gjermanisë pro heqjes së vizave.

“Kosova e meriton rrugën euroatlantike. Koha i është dhënë Kosovës sot, e dëshmon që agjenda e Kosovës ka zënë vend. Është një respekt i Gjermanisë dhe kancelares për Kosovën. Proceset janë në një nivel më të mirë, se sa para këtij takimi. Kosova është në një pozicion më të fortë, se sa para një ore. Unë e kam falënderuar pozicionin e Gjermanisë, sepse e kanë kryer punën e vet (për liberalizimin e vizave)”, ka shtuar Haradinaj.

Sa u përket vizave, ai thotë se duhet lobuar që të futet në agjendë, sepse votimin në Këshill Evropian nuk e sheh si problematik.

“Duhet të punojmë në lobim, që çështja e vizave të futet në agjendë. Kancelarja ishte e interesuar për vazhdimin e dialogut, dhe kornizimin e dialogut. Në kontekst të kësaj, është diskutuar edhe pezullimi i taksës, por nuk ka një epilog me këtë çështje”, potencon Haradinaj.

I pari i Qeverisë megjithatë ka thënë se duhet ende punë që Kosova të hyjë në agjendë derisa ka shtuar se për të do të punohet intensivisht.

“Nuk është se përmbyllet, do të na duhet shumë punë, është kompliku pak situata, po duhet të bëjmë kujdes që ta gjejmë mënyrën të hyjmë në agjendë, e drejta na është njoftë tash duhet të na jepet përkrahja për të hy në vendimmarrje, nuk bëhet fjalë për javë, duket të presim dy tre muaj deri te vendimi por do të punojmë intensivisht”, tha kryeministri.

Express merr vesh se çështja e vizave mund të hyjë në agjendë në vjeshtë kur me BE’në do të jetë duke kryesuar Finlanda dhe pasi të nisin punën institucionet e reja të BE’së që kanë dalë nga zgjedhjet evropiane të majit.