Policia e konfirmon: Bastiset sërish lokali ‘Kobra City’, sekuestrohen prova të reja

Sot u raportua për një aksion të Njësisë së Krimeve të Rënda të Policisë së Kosovës që u zhvillua sot në Prizren, në lidhje me vrasjen te lokali ‘Kobra City’ të martën në mëngjes. Bastisjet janë kryer në disa lokacione, në kërkim të provave që do të lidhen me rastin dhe do të zbardhin detaje të reja për vrasjen e kuksianit.

Lajmi është konfirmuar tash edhe nga Policia Rajonale në Prizren, që njoftuan se gjatë këtij aksioni janë sekuestruar disa dëshmi.

“Kanë vazhduar bastisjet në tri lokacione, derisa është bastis edhe lokali “Kobra City”. Gjatë këtyre bastisjeve janë sekuestruar disa sende dhe aparatura, që mund të përdoren si prova. Në njërën shtëpi të njërit nga të dyshuarit janë gjetur disa fishekë dhe një granatë dore.”

I dyshuar për këtë vrasje të rëndë është Dibran Hoxhaj i njohur edhe si “Kobra” i cili tashmë ndodhet nën masën e paraburgimit, që iu caktua dje nga Gjykata Themelore në Prizren. Hoxhaj, i cili ka të kaluar kriminale po dyshohet se ka kryer veprat penale: vrasje e rëndë, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve dhe manipulimi me prova.

Bashkë me ‘Kobrën’ në paraburgim kanë përfunduar edhe pesë persona të tjerë Kujtim Gashi, Jesmir Badallaj, Burim Mazreku, Enver Amrllahi, Arben Vezaj për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale pjesëmarrja në rrahje, që i parapriu vrasjes.

Detaje për rastin

I riu që u vra është Visart Cengun nga Kukësi i Shqipërisë, i cili kishte ardhur nga Franca për pushime, që dolën të jenë tragjike. Ai mbeti i vrarë në orët e para të mëngjesit të së martës pas të shtënave me armë zjarri në dalje të lokalit ‘Kobra City’ në Prizren. Keq e pësoi edhe miku i tij, 27-vjeçar, Rufgen Shehu, i cili mbeti i plagosur, por jashtë rrezikut për jetë.

Sinjali ka raportuar ekskluzivisht se motiv i këtij konfliktit dyshohet të ketë qenë fatura prej 400 eurosh që lokali kishte lëshuar për dy viktimat. Sipas informacioneve të para, sherri nisi pasi të rinjtë nga Kukësi nuk u pajtuan për ta paguar këtë shumë të të hollave.

Këtë e ka konfirmuar edhe prokurorja e Prokurorisë Themelore në Prizren, Nazan Shero, e cila i tha Gazetës Sinjali dje se shuma prej 400 eurosh është përmendur edhe nga dëshmitarët si një motiv i mundshëm për vrasjen.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.