Hajnat bëjnë kërdi në Vushtrri, vjedhin mbi 1kg ari në vlerë të 60 mijë eurove

Vjedhjet e shpeshta nëpër shtëpi janë bërë një fenomen tejet shqetësues për qytetarët e Kosovës që po shkaktojnë ankth e pasiguri, sidomos kur shtëpitë po mbesin pa përkujdesje. Në mesin e shumë familjeve që e kanë pësuar së fundmi është edhe familja Merovci në Vushtrri. Këtë herë hajnat kanë bërë kërdi në shtëpinë e tyre, duke arritur të vjedhin stoli ari, që kap vlerën e një shumë të majme parash.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se rasti ka ndodhur dje dhe është denoncuar nga një anëtare e kësaj familje, e cila ka raportuar se hajnat kanë vjedhur nga shtëpia e tyre mbi 1 kilogram ari, në vlerë të rreth 60 mijë eurove.

Bazuar në dëshminë e viktimës të dhënë para hetuesve policorë hajnat depërtuan brenda shtëpisë me forcë, derisa familja nuk ndodhej aty, periudhë kjo që u shfrytëzua për t’i kapur gjësendet me vlerë. E shqetësuar jashtëzakonisht për rastin që i ndodhi, viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë.

Me t’u denoncuar rasti, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kryer ekzaminimet e nevojshme që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit, ndërkohë që janë ndërmarrë veprimet hetimore për të identifikuar të dyshuarit.

Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Vjedhje e rëndë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen personat që dyshohen se kryen veprën.