Haki Rugova thotë se aksidentalisht nënshkroi kontratën për dhënien e tenderit vëllait të tij

I pari i Komunës së Istogut, Haki Rugova në mbrojtjen e tij të dhënë para trupit gjykues të Gjykatës së Pejës ka pranuar se kishte nënshkruar kontratën për dhënien e tenderit kompanisë së vëllait të tij Gani Rugova.

Mirëpo, sipas tij ky nënshkrim ishte bërë aksidentalisht pasi kjo kontratë i ishte dërguar për nënshkrim me shumë dokumente tjera.

Rugova akuzohet nga Prokuroria se duke vepruar si kryetar i Komunës së Istogut, më 1 gusht 2014 e ka nënshkruar kontratë me kompaninë e vëllait të tij. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë, në vlerë rreth 300 mijë euro.

“Kryetari i komunës nuk merret me prokurim. Ajo kontratë si zakonisht kryetari Komunës i është sjellur në mesin e shumë dokumenteve dhe kontratave që duhet nënshkruar, dhe unë e kam një praktikë që vendosi nënshkrimin pas nënshkrimit të një zyrtari që është kompetent për atë çështje, e kur vjen nga zyra ligjore as nuk e lexoj por e nënshkruaj”, tha i akuzuari Rugova.

Sipas Rugovës për disa kontrata të prokurimit nuk është nevojshme nënshkrimi i tij si kryetar i Komunës mirëpo këtë e bënë menaxherja e prokurimit, Zize Bujupaj.

Mbrojtësi i të pandehurit Rugova, avokati Besnik Berisha ia lexoi deklaratën e menaxheres së prokurimit, Zize Bujupaj e cila kishte thënë se kontratën e tenderit aksidentalisht e kishte nënshkruar Kryetari Rugova.

“Zize Bujupaj në këtë gjykatë ka deklaruar për aktivitetin e prokurimit që është objekt i akuzës dhe ka deklaruar se ju nuk keni marrë pjesë në asnjë aktivitet për këtë kontratë dhe aksidentalisht të është dërguar për nënshkrim”, pyeti në mënyre të tërthortë avokati Berisha.

“Po e saktë”, tha i akuzuari Rugova.

Rugova shtoi se nuk kishte marrë pjesë në asnjë formë në procedurat e prokurimit në të cilën tenderin e kishte fituar vëllai i tij, mirëpo aksidentalisht kishte nënshkruar kontratën për dhënien e tenderit.

“Natyrisht që nuk kam marrë pjesë, ngase ligjërisht nuk kam të drejtë, janë komisionet e veçanta që e rekomandojnë zyrën e prokurimit kush është apo cili operator është i favorshëm për këtë dhe i plotëson kriteret”, tha Rugova.