Halil Matoshi: Fotografisë së Kurtit, Ramës dhe Depardieut po i mungon edhe miku i Millosheviqit që mori Nobelin

Halil Matoshi, këshilltar i kryeministrit në largim të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pasi shefi i ekzekutivit në Shqipëri, Edi Rama, publikoi një fotografi me Albin Kurtin, kandidat për kryeministër të Kosovës nga radhët e partisë që doli e para në zgjedhje, Lëvizjes Vetëvendosje, dhe me aktorin francez, Gerard Depardieu, i njohur si mik i afërt i presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

Fotografia është realizuar në Tiranë, në rezidencën e kryeministrit të Shqipërisë, ku Kurti kishte shkuar ta takonte Ramën, dhe është publikuar në llogarinë e këtij të fundit, në rrjetin social Facebook, në internet.

Matoshi ka vlerësuar, nëpërmjet një shkrimi të tij në po të njëjtin rrjet social, se fotografisë së Kurtit, Ramës dhe Depardieut po i mungon edhe adhuruesi i Sllobodan Millosheviqit, austriaku Peter Handke, i cili javë më parë u shpërblye me çmimin Nobel për Letërsi.

Shkrimi i plotë i Matoshit:

Darka e gabueme
… dhe Albin Kurti

(Njerëz kontrovers në nji fotografi familjare)

Gerard Depardieu, njeriu që masi iku nga Atdheu i tij Franca, hatri i taksave, u gjet në përqafim të Presidentit autoritar rus Putin, u vlerësu se âsht nerë për Gjirokastrën me ia dhânë “Çelësin e qytetit”!?
Njisoj pati vepru Edvin Rama kur i pati dhânë “Çelësin…” e Tiranës, Goran Bregovićit, mikut të shovenistit serb Emir Kusturica, njiherit mik i “Kasapit të Ballkanit”, Milošević.
Porse, fitografia familjare e Edvinit dhe Albinit (Sic!?) me aktorin francez, nuk e plotëson mozaikun pa Peter Handken, mikun tjetër të Miloševićit!?
Rama âsht mirë me propozu dhânien e “Çelësit të Vlorës” – qytetit të Ismailqemal Vlorës, nobelistit austriak, derisa në anën tjetër, kërcënon dhe fyen Heroin e gjallë të Kosovës dhe homologun e tij kosovar, në detyrë, Ramush Haradinaj!???
Degradimi i vlerave morale që njihen si vlera të përbashkëta europiane, nuk ka të sosun në tokën e shqiponjave.
Pse i kafshohet shpirti Kosovës?

P.S.

Vlerat e përbashkëta i mbrojnë në Beograd Nataša Kandić dhe Čedomir Jovanović, ta zâmë, porse Rama dhe kryebashkuakët e qyteteve shqiptare nuk u kujtuen me i nerue ata!?