Halimi thotë se LDK-ja nuk ka frikë nga zgjedhjet

Është koha të mos mendohet për zgjedhje, por për probleme reale të qytetarëve. Kështu u shpreh zëdhënësja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sibel Halimi duke e komentuar deklaratën e kryeparlamentarit, Glauk Konjufca se mund të ketë zgjedhje nëse insistohet për një Asociacion që s’pranohet nga Qeveria.

“Për ne është shumë e rëndësishme që dialogu të përfundojë me marrëveshje finale dhe njohje reciproke dhe çështja e zgjedhjeve nuk do të doja së paku të jetë diskutimi sepse shoqëria kosovare gjatë gjithë kohës qytetarët janë duke u ballafaquar me zgjedhje, duke mos i përfunduar mandatet qeveritë. Nevojitet që të kemi stabilitet dhe të merremi me çështjet konkrete të përditshmërisë së qytetarëve”, ka thënë Halimi.

Në Respublika në Tëvë 1, ajo ka shtuar se dialogu duhet të përfundojë njëherë e përgjithmonë.

“Sepse tanimë është e palogjikshme dhe e padrejtë për qytetarët tanë që gjatë gjithë kohës t’ia vëmë në fytyrë dhe në jetën e tyre çështjen e dialogut. Dialogu duhet të përfundojë njëherë e përgjithmonë dhe kushdo që do merr çështjen e qeverisjes së vendit, të merret me përditshmërinë e qytetarëve. Sepse siç po e shihni edhe ju ka pakënaqësi të madhe ndaj partisë që po udhëheq”, ka deklaruar Halimi.

Më tej ajo ka thënë se LDK-ja nuk frikësohet nga zgjedhjet, madje ka shtuar se ata po e hartojnë një program qeverisës.

“Prandaj është e rëndësishme që ne mos ta kemi synimin, jo sepse Lidhja Demokratike e Kosovës ka frikë nga zgjedhjet, sepse ne nuk kemi frikë nga zgjedhjet. Sepse tani kemi edhe një program qeverisës që është duke u hartuar dhe e ka një vizion të qartë se ku dhe si dëshiron ta shohë vendin tonë dhe zhvillimin e vendit tonë. Ideja jonë është që ta përfundojnë këtë mandat, të merren me çështje konkrete dhe ta lënë anash propagandimin”, përfundoi ajo.