Haliti: Përveç Rugovës, ka edhe liderë të tjerë që janë takuar fshehtas dhe haptas me Millosheviqin

Xhavit Haliti, një prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka folur për të kaluarën, duke thënë se presidenti i atëhershëm i Kosovës, Ibrahim Rugova nuk ishte i vetmi që e takoi presidentin serb, Sllobodan Millosheviq.

Haliti thotë se ka pasë liderë të tjerë që janë takuar fshehtas dhe haptas me Millosheviqin.

“Janë takuar edhe Rugova, Fehmi Agani e kush janë takuar. Ka liderë hala që janë takuar edhe fshehtas edhe haptas me Millosheviqin”, ka thënë ai në një intervistë për “Demos”.

Për takimin e kryeministrit të atëhershëm të Shqipërisë, Fatos Nano dhe Millosheviqit, Haliti tha se s’duhet folur pa argumente.

“Ai është takuar në një konferencë ndërkombëtare që ia kanë ofru me u taku dhe me bisedu. Dhe duhet me ditë stenogramin e bisedave që janë zhvillu, më së pari: çfarë ka thënë Millosheviqi, çfarë ka thënë Nano. Nëse ky ka bërë ndonjë marrëveshje, siç thuhet, për me e shitë Kosovën – më së pari për me e shitë duhet me e pasë të blerë – atëherë po, por jo pa argumente”, ka thënë ai.

“Unë pak a shumë kam folur personalisht me Nanon”, ka treguar Haliti.

“Ajo që e ka bërë në periudhën sa ka qenë kryeministër, ka një histori interesante. Tre politikanë të mëdhenj të Kosovës atëherë kanë shku në takim te Clinton dhe i kanë kërku që të bëjë çmos ta shkarkojë Fatos Nanon sepse po i mbështet forcat ekstremiste – UÇK-në, e para, që për mua s’ka qenë në rregull nga ata. Këqyreni kush ka qenë atje në takim. Ka pasë një fushatë shumë të egër kundër tij. Edhe periudha kur ai u rrezikua të vritej kur u vra Azem Hajdari, ishte një përpjekje edhe për ta eliminuar fizikisht”, ka thënë Xhavit Haliti.

Politikat e Nanos, Haliti tha se kishin qenë politika të cilat “i ka mbështetur Perëndimi”.