Haliti – Qeverisë e VV-së: Na keni lodhë me këtë çkapjen e kapjen

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti i ka rekomanduar Qeverisë Kurti që siç ka thënë ai të mos merren me kapjen dhe çkapjen e shtetit por të zbatojnë ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

Haliti tutje në seancën e sotme të Kuvendit u tha Vetëvendosjes që ta lënë lojën dhe fushatën elektorale që e bënin sa ishin opozitë.

“Ju si qeverisje ose si parti e Vetëvendosje na keni lodhë me këtë çkapjen e kapjen. Zbatoni ligjet, zbatoni kushtetutën, nuk keni nevojë me çkap asgjë. Kush e ka shkelë ligjin dihet çfarë masa duhet të merren ndaj tyre dhe mos e vazhdoni atë lojën ose fushatën elektorale të kohës së opozitës. Tani keni përgjegjësi tjera”, tha Haliti.

Haliti i ka sugjeruar kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca që gjitha marrëveshjet që janë bërë në emër të Kuvendit të Kosovës t’iu shpërndahen deputetëve.

Ndërkohë që ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të rregullojnë urën që lidhë Rugovën e Hasit me rrugët e tjera.