Haradinaj: Arsimi është përcaktues i së ardhmes tonë si shtet, kjo qeveri nuk e ka prioritet

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se arsimi nuk është prioritet i kësaj qeverie dhe se si pasojë, problemet janë shtuar dhe janë alarmante.

Kështu deklaroi ai në tryezën e organizuar nga Grupi Parlamentar i AAK-së në bashkëpunim me Forumin Intelektual Evropa 2030 për arsimin në Kosovë.

“Sallat mësimore, amfiteatrot e laboratorët janë fabrikat më të rëndësishme për një shtet. Me arsimin nuk bëhet pazar sepse është përcaktues për të ardhmen e vendit. Fatkeqësisht arsimi nuk është prioritet i kësaj qeverie. Problemet janë shtuar dhe janë alarmante. Ndikimi i dëmshëm politik, mungesa e investimeve kapitale, mungesa e fondeve për hulumtime shkencore, pagat e ulëta si dhe kushtet e dobëta infrastrukturore dhe lufta e hapur ndaj sindikatave dhe mësimdhënësve, kanë sjellë këtë sektor buzë kolapsit”, ka thënë Haradinaj.

Kreu i AAK-së tutje theksoi se bashkëpunimi ynë politik me Forumin E30 dhe sindikatat e arsimit ka nisur të japë rezultatet e para.

“Në tryezën e dytë për arsimin, kësaj radhe organizuar në bashkëpunim me Forumin Intelektual Evropa 2030, gjatë diskutimit me panelistët, profesionistë të fushave të ndryshme me kontribut të shquar në sektorin e arsimit, u ngrit shqetësimi për degradimin e skajshëm që kjo qeveri i ka sjellë arsimit”.

“Bashkëpunimi ynë politik me Forumin E30 dhe sindikatat e arsimit, ka nisur të japë rezultatet e para, që do të kulmojnë me një plan të përbashkët për ta rikthyer dinjitetin e mësimdhënësve dhe ndryshimin pozitiv të gjendjes arsimore në vend”, vlerësoi Haradinaj i AAK-së.