Haradinaj: E kam parë planin franko-gjerman, aty është njohja

Plani franko-gjerman është amerikan dhe është marrëveshja finale me Serbinë, aty është njohja e Kosovës.

Kështu ka deklaruar lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tha se dokumenti i cili është ofruar për marrëveshje e ka njohjen e Kosovës në mënyrë eksplicite.

Ai thotë se marrëveshja pritet të nënshkruhet këtë vit, derisa plani franko-gjerman është final dhe se nuk ka marrëveshje tjetër.

“Materiet që i ka Kosova dhe Serbia për normalizimin e plotë. Marrëveshja mund të mos quhet marrëveshje për njohje, mund të quhet marrëveshje për normalizim, por në përmbajtje e ka njohjen”.

“Kjo është marrëveshja finale, nuk do të ketë marrëveshje tjetër, nuk të ketë më negociata në mes të Kosovës dhe Serbisë për asgjë tjetër… kjo është finalja”, ka deklaruar Haradinaj në televizionin publik.

Haradinaj tha se do ta përkrahte Kurtin “në rast se merr obligimet bazuar në materien e kësaj marrëveshje”.

Kryetari i AAK-së dhe ish-kryeministri i Kosovës foli edhe për çështjen e targave dhe deklarimin e kryeministrit Kurti se nuk ka shtyrje të afatit.

“Mendoj se kërkesa e [Gabriel] Escobarit, por edhe e QUINT-it është që të kihet kujdes dhe të planifikohet mirë edhe kohëzgjatja e implementimit në mënyrë që mos të ketë tensione dhe incidente…që mund të shfrytëzoheshin ose prej palës serbe ose prej palëve tjera për të fajësuar Kosovën”.

Haradinaj tha se çfarëdo përkeqësimi i situatës të rendit ligjor dhe të sigurisë në cilëndo pjesë të Kosovës nuk i shkojnë përshtati Republikës dhe agjendës së saj.