Haradinaj e Pacolli kanë një mosmarrëveshje për rusin që u shpall non grata

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar sot se i ka bërë kërkesë Ministrisë së Punëve të Jashtme, që të marrë vendim për të shpallë si person ‘non-grata’, rusin e arrestuar gjatë aksionit të Policisë në Veri, e i cili shërbente në misionin e UNMIK-ut.

Megjithatë në gjithë këtë proces duket se ka një mosmarrëveshje. Në një reagim të këshilltarit të ministrit të Jashtëm, Jetlir Zyberaj, thuhet që MPJ e Behxhet Pacollit, ka marrë vendim dje që të shpallë si person non-grata rusin, Mikhail Krasnoshchenkov.

“Ministria e Punëve të Jashtme ka shpallur dje zyrtarin e UNMIK-ut me shtetësi ruse si persona non-grata. Kjo vjen pas hezitimit të UNMIK-ut për të hequr imunitetin e zyrtarit dhe për të bashkëpunuar me autoritetet gjyqësore. Në të njëjtën kohë një ditë më parë për shkak të deklaratave të saj raciste, Kryeministres serbe Ana Brnabic i është ndaluar përgjithmonë hyrja në Kosovë. Ministria e Punëve të Jashtme nuk do të ngurrojë të ndërmarrë masa të tilla në çdo moment kur janë në pyetje interesat kombëtare të Kosovës”, ka shkruar Zyberaj, raporton Gazeta Express.

Ndërkohë Haradinaj thotë se ka kërkuar sot nga MPJ-ja, që të shpallë Krsanoschnekovin, si person ‘Non-Grata’.

“Sot, kam kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme që në bazë të kompetencave kushtetuese dhe ligjore të shpallim shtetasin rus z.Mikhail Krasnoshchenkov si person ‘Non Grata’.
Vendimi është marrë sot ndaj këtij personi që punon si staf ndërkombëtar në Kombet e Bashkuara, dhe të njëjtit i urdhërohet që ta lëshojë territorin e Republikës së Kosovës. Ky vendim ka hyrë në fuqi, sot nga 31 maj 2019.
I bëj thirrje Përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë të respektojë vendimin.
Vendimi është marrë për shkak të veprimeve të shtetasit rus kundër rendit kushtetues të Kosovës, vlerave universale, paqes dhe stabilitetit! RH”, ka shkruar Haradinaj.