Vetëvendosje paralajmëron kallëzim penal ndaj Shpend Ahmetit

Lëvizja Vetëvendosje do të ngrisë kallëzim penal ndaj kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, për shkak të kritereve që ka vendosur për kiosqet në kryeqytet.

Këtë e ka bërë të ditur asamblisti i VV-së në Prishtinë, Egzon Azemi, në mbledhjen e Kuvendit Komunal.

Ai tha se interesi i korporatave nuk do të duhej të jetë politikë e komunës, por do të duhej të ishte interesi i qytetarëve.

Kriteri i përcaktuar që aplikuesi të ketë së paku 5 markete dhe qarkullim vjetor 5 milionë euro, sipas Azemit vërteton qartë se kujt i dedikohen këto favore. Teksa e quajti vendim joligjor vendimin për vendosjen e kritereve për kiosqet.

Sipas tij, do të ishte e rrugës që pikërisht ndërmarrjeve me qarkullim prej 5 milionë euro, të mos iu lejohet aplikimi për kiosqet.

“Ne kërkojmë një studim të fizibilitetit që ët kemi një pasqyrë më të qartë për funksionimin e komunës… Si Lëvizje Vetëvendosje do të ngrisim kallëzim penal ndaj Shpend Ahmetit, sepse me këtë vendim, ai është shndërruar në përfaqësues të korporatave e jo në përfaqësues të interesit të qyetarëve. Ky vendim nuk kalon. Në çfarëdo forme do ta bllokojmë e nuk do të lejojmë që pasuria e përbahskët e qyettarëve t’iu jepet në shfrytëzim atyre që qarkullim vjetor kapin shumën prej 5 milionë euro”, tha ai.

E pezullimin e këtij procesi e ka kërkuar edhe grupi i asamblistëve të LDK-së.