Haradinaj i drejtohet qeverisë: Qysh sot përfillni kërkesat e sekretarit Blinken

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka bërë thirrje qeverisë që t’i përfillë kërkesat e sekretarit amerikan Anthony Blinken.

Në një postim në facebook, Haradinaj ka kërkuar largimin e njësive speciale nga objektet e komunave, dorëheqjen e kryetarëve dhe zgjedhjet në veri.

Postimi:

Kërkoj nga Qeveria e Kosovës që qysh sot të përfillë këshillat e Sekretarit Amerikan Blinken dhe të gjithë aleatëve tonë për rikthimin e normalitetit në veri.

Kjo nënkupton largimin e menjëhershëm të njësive speciale nga objektet e komunave në veri dhe ajo të vazhdojë më detyrat e veta ligjore për ruajtjen e rendit dhe ligjit në këtë pjesë të vendit;

që kryetarët e komunave nga zgjedhjet e fundit atje, menjëherë të japin dorëheqje;

të shpallen zgjedhjet e lira në këto katër komuna, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, me pjesëmarrjen e të gjithëve, pa kushte e me garanca ndërkombëtare;

që kryeministri Kurti t’i kthehet implementimit të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, kjo në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Zhvillimet po hyjnë në një fazë të rrezikshme dhe koha nuk pret.