Haradinaj: Le të na njehë Serbia e pastaj ia kthejmë tregun

Kryeministri Ramush Haradinaj në Akademinë Përkujtimore në 22- vjetorin e rënies së Heronjve të Kombit, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zejnullahu në Junik, ka folur edhe për përmbylljen e marrëveshjes Kosovë-Serbi dhe sipas tij, po përballen me presionin ndërkombëtar që në këmbim të njohjes së Kosovës nga Serbia, Kosova të japë një pjesë të territorit në veri, ose të krijohet një Republikë brenda Kosovës.
Ndërsa kryeministri ka ftuar presidentin Hashim Thaçi e kryetarin e Kuvendit Kadri Veselin, kryetarët e partive opozitare Albin Kurtin e Isa Mustafën që të qëndrojnë njëzëri dhe të kushtëzojnë njohjen nga Serbinë përmes taksës.
“Kërkohet me u përmbyllë marrëveshja Kosovë-Serbi dhe është mirë me u përmbyllë. Ne kemi kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare. Por, ndërkombëtarët na kanë thënë se cka jepni ju me ju njoftë Serbia, vazhdimisht na e kanë bërë këtë pyetje. Ne i kemi thënë se i kemi 20 mijë të dhunuara, persona të zhdukur. Atëherë kanë lyp që ne me dhënë veriun atje që i kemi disa miniera. Dhe kanë thënë jepne ju do tokë se ju njohin, ose nëse nuk jepni tokë jepni një republikë brenda Kosovës, një Zajednicë. Për këtë arsye e mendojmë si send normal se ju e keni pa Amerika dhe Kina tani janë në një luftë tregtare. Tash Anglia po ndahet nga BE. Unë po i luti kolegët e mi, edhe Kadrinë, edhe Hashimin, Albinin, Isën, nëse na e jep njohjen Serbia po ia kthejmë tregun se ja kemi marrë tregun. Nëse ne duhet me e kthy këtë treg, unë po ta jep tregun ti ama njohjen. Nuk po besoj që po e teprojmë, mua po më vyn njohja shumë ama ta jap tregun”, ka thënë ai.
Kreu i qeverisë ka ripërseritur se nuk do ta heqë taksën pa njohjen. “Unë nuk kam me ia dhënë tregun Serbisë pa e marrë njohjen, le të dinë të gjithë. Kjo nuk është kundër Amerikës, ne e kemi armik Serbinë. Nuk japim Zajednicë, do të japim treg”, tha ai.