Raportimi për keqpërdorimet e EULEX-it, OVL thirrje parlamentit: Mos e injoroni kërkesën e Simmons

Organizata e Veteranëve të Luftës ka kërkuar që ish-gjyqtari i EULEX-it, Malcolm Simmons të thirret sa më shpejtë për të dëshmuar për parregullsitë dhe shkeljet e këtij misioni në Kosovë, përcjell Fokusi.info.

Me anë të një postimi në Facebook, ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK’së, Faton Klinaku, ka thënë se Kuvendi i Kosovës duhet të thërrasë seancë dhe të mos injorojë kërkesën e vitit të kaluar të Simmons për të raportuar.

Simmons kishte thënë se do të jepte dëshmi në lidhje me çështje që përfshijnë ndërhyrjet në hetimet penale, kërcënimet ndaj dëshmitarëve, nxitjen e tyre, manipulim provash e keqpërdorime tjera.

Postimi i plotë i Klinakut:

Kuvendi i Kosovës duhet të thërras seancë dhe të mos vazhdoi me injorimin e kërkesës së bërë vitin e kaluar nga ish gjyqtari i EULEX-it, Malcolm Simmons, i cili ka thënë se do të jepte dëshmi në lidhje me çështje që përfshijnë “ndërhyrjen në hetimet penale; kërcënimet e bëra ndaj dëshmitarëve të mbrojtur, nxitje të dëshmitarëve të mbrojtur, manipulim të paneleve gjyqësore, përpjekje për të ndërhyrë në gjykime penale, fshehje provash, manipulim provash, fshehje të provave për kryerjen e veprave penale, përpjekje për të penguar hetimet penale, hyrje të paligjshme në postat elektronike private, pengim të hetimeve, pengim të drejtësisë, ndërhyrje në çështjet penale për objektiva të mëtejshëm politik”.