Haradinaj: Ministri Reka duhet menjëherë të japë dorëheqje para se t’i kërkohet ajo

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se Ministri i Integrimeve Evropiane, Blerim Reka duhet të japë dorëheqje, pas deklaratave të këtij të fundit se do të bëjnë kompromis me Serbinë, transmeton Fokusi.info.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka deklaruar se një ofertë e tillë “i mundëson Serbisë që të futet në shqiptari dhe të realizojë ëndrrën e tyre shekullore për të pushtuar tokat e arbërit”.

Tashmë, ofertimi i heqjes së taksës 100% nga Qeveria Kurti pa kontratën finale për njohje reciproke në kufijtë ekzistues po prodhon pasojat e para.

Ministri i Integrimeve Europiane Z. Reka paska propozuar kompromisin me Serbinë e që është dhënia e korridorit të tranzitit për në Adriatik apo kthimi i Kosovës në Serbi dhe hapja e rrugës që Serbia të futet edhe në Shqipëri. Kjo ofertë e dytë shkatërruese i mundëson Serbisë që të futet në shqiptari dhe të realizojë ëndrrën e tyre shekullore për të pushtuar tokat e arbërit.

Ky Ministër duhet menjëherë të japë dorëheqje para se t’i kërkohet ajo. Këto deklarata dhe sjellje të rrezikshme politike të Qeverisë së Mashtrimit, njëherë me heqje të taksës e tash me ofertën e qasjes në Adriatik, prodhojnë pasoja të nënshtrimit dhe kapitullimit politik, shkruan Haradinaj.