Haradinaj ndryshe nga Krasniqi e Haziri: E lexova draftin e Asociacionit në tërësi, është një kompromis i madh i Kosovës

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj është deklaruar pas takimit me të dërguarin special të Bashkimit Evropian, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Haradinaj, ka thënë se ndryshe nga liderët opozitarë, ka pasë mundësinë që të njihet me draft-statutin e Asociacionit të propozuar.

“Patëm mundësinë që të njoftohem me dokumentin e draftstatutit ta lexojmë në tërësi dhe ta zhvillojmë një bisedë lidhur për hapat e mëtejmë që e presin Kosovën dhe çka mund të pres Kosova pas implementimit të obligimeve që ka marrë në bazë në planit frank-gjerman që është i mbështetur prej amerikanëve”, ka deklaruar Haradinaj.

I pari i AAK-së, dha detaje edhe nga drafti.

“Do të thotë kemi lexuar draftin në tërësi. Drafti shpjegon të gjitha po e quaj ashtu mundësitë që Asociacioni iu jep komunave me shumicë serbe qytetarëve që jetojnë në komunat me shumicë serbe, kuptohet çdo herë i referohet Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, në këtë draft nuk ndryshojnë përgjegjësitë e komunave dhe Asociacionit nuk merr nga këto përgjegjësi”.

Haradinaj në lidhje me komentet, tha se do t’i bëjnë pas shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese.

“Çdo vendim në krijimin e Asociacionit duhet të shqyrtohet nga Ministria e Pushtetit Lokal dhe të miratohet të konfirmohet nga Gjykata Kushtetuese”.

Me këtë hap, Haradinaj tha se Kosova po bën një kompromis.

“Besoj se duhet ta themi haptazi në implementimin pas shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese, Kosova e bën një hap të madh përpara, është një kompromis i madh i Kosovës që buron nga një obligim i marrur vite më herët dhe Kosova me të drejtë kërkon një procedurë të shpejtë në anëtarësim në NATO, në Partneritetin për Paqe, në Këshillin e Evropës, heqja e sanksioneve, janë të rëndësishme garantojnë Kosovën që nuk do të kenë shqetësime”, përfundoi Haradinaj.