Haradinaj: Nuk ia japim prokurorit të Speciales materialet që i kemi pranuar sot, pa qenë prezent Policia e Kosovës

Nënkryetari i OVL-së të UÇK, Nasim Haradinaj, deklaroi në Kanal 10 se pakon e dytë me materiale të cilat pretendohet se janë dokumente të Gjykatës Speciale, nuk do ua dorëzojnë hetuesve të kësaj gjykate, nëse ata i kërkojnë, pa qenë prezentë edhe Policia e Kosovës.

“Këto kopje janë këtu, ne nuk kemi për detyrë t’i dorëzojmë përtej këtu. I bëjmë ftesë kush të dojë le të vijnë e t’i marrin. Vetëm një e kemi plan, Prokurorit Special më pa Policinë tonë nuk e kemi plan as këto kopje me ia dhanë. Nëse vijnë me policinë tonë ua japim, sepse për ne i ka skaduar afati i kësaj Gjykate”, tha Haradinaj, përcjell Fokusi.info.

Haradinaj theksoi se disa kopje të këtyre materialeve tashmë i janë dorëzuar gazetarëve.

“Këto dokumente që i kemi marrë tash, disa kopje ua kemi dhënë gazetarëve, janë disa kopje aty, tash kush të donë me ardh e me i marrë le të vjen. Kush të dojë”.