Haradinaj: Nuk mburrem me opozitëbërjen tonë – mirë po na e bën Kurti sepse ia kemi lanë livadh

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se vetëm gjyqësori dhe mediat në Kosovë nuk janë nën kontrollin e Kurtit.

“E meritojmë kështu me na e ba Kurti sepse ia kemi lanë livadh, ia kemi dhanë votën me shumicë dhe atë blanko, pastaj ne si opozitë nuk kemi ditë me u bashku me kohë dhe me mbajt nën kontroll këtë njeri dhe këtë qeveri, ky e shtini në kontroll edhe presidenten dhe parlamentin dhe të gjithë realisht. Të vetmit që nuk po i kontrollon janë gjyqësori dhe mediat”, tha Haradinaj në Rubikon.

Ai pati kritika edhe për opozitën në Kosovë, duke thënë se po u mungon vetëbesimi.

“Unë e pranoj se ka munguar vetëbesimi i duhur opozitar i yni, nuk mburrem me opozitëbërjen tonë, nuk kemi tregu nivel të përgjegjësisë përballë një qeverie kaq të papërgjegjshme dhe një kryeministri të paparashikueshëm që i rrezikon proceset”.

“Ai nuk na ka mundur, por për fat të keq i ka bërë dëme Kosovës se ne nuk jemi të dorëzuar, dhe nuk i kemi mbrri ato që është dashtë me i mbrri dhe nuk i kemi ba ato që është dashtë me i ba. Mendoj se vota e mocionit është dashur të jetë e bashkuar me kohë, mendoj se partitë opozitare nga kompleksi i njëra-tjetrës, ose frika se cili përfiton nga ajo që bëjmë ne bashkë, i shkakton pasoja Kosovës, se një nga një nuk janë të mjaftueshëm”, tha Haradinaj.