Haradinaj për Fondin e Sigurisë: Duhet të shndërrohet në ligj dhe të miratohet në Kuvend

Kryetari i Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë për krijimin e Fondit të Sigurisë.

Haradinaj ka thënë se kjo ka qenë kërkesë e vazhdueshme e tij dhe e AAK-së. Ai ka thënë se ky vendim duhet të shndërrohet në ligj dhe të votohet në Kuvend.

“Mbështes vendimin e Qeverisë për krijimin e Fondit të Sigurisë, kërkesë kjo e vazhdueshme e Aleancës dhe e imja. Besoj që ky vendim i qeverisë duhet të shndërrohet edhe në Ligj i cili do të votohej në Kuvend. Për çështje të sigurisë, Aleanca gjithnjë është e rreshtuar aty ku është interesi nacional.”, tha ai.

Statusi i plotë i Haradinajt:

Agresioni rus në Ukrainë dhe pozicionimi i qartë i Serbisë krahas Putinit dhe Rusisë, është kërcënim serioz për sigurinë në Ballkan, veçanërisht në vendin tonë.

Kjo situatë kërkon veprim të shpejtë, vendime efikase, të nevojshme e të përgjegjshme të të gjitha institucioneve të vendit.

Në këtë frymë, mbështes vendimin e Qeverisë për krijimin e Fondit të Sigurisë, kërkesë kjo e vazhdueshme e Aleancës dhe e imja. Besoj që ky vendim i qeverisë duhet të shndërrohet edhe në Ligj i cili do të votohej në Kuvend.

Për çështje të sigurisë, Aleanca gjithnjë është e rreshtuar aty ku është interesi nacional.