Deputetët – ministra të PDK’së nuk shkojnë për ta kryer betimin në Kuvend

Ministrat e PDK-së, përveç Bedri Hamzës nuk po marrin pjesë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës dhe rrjedhimisht nuk do të betohen si deputetë.

Në seancën e sotme konstituive nuk do të marrin pjesë ministrat e PDK-së, që kanë fituar mandatet për deputet të Kosovës, përveç ministrit në detyrë të financave, Bedri Hamzës.

Kjo pasi që këta ministra kanë vendosur që të mos betohen që të ruajnë mandatin e ministrit.

Mirëpo, seanca konstituive nuk konsiderohet e mbyllur pa u emëruar kryetari i Kuvendit, e që rrjedhimisht, pasi që nuk ka marrëveshje për kreun e kuvendit nga LDK e VV, seanca nuk mbyllet sot.

Analisti Artan Murati ndërkaq ka sqaruar për Gazetën Express se sipas kushtetutës, seanca nuk konsiderohet e mbyllur pa u emëruar nënkryetarët e kuvendit e krye parlamentari, edhe nëse në parim betohen deputetët.

“Sipas Kushtetutës seanca nuk konsiderohet e mbyllur pa u bërë zgjedhja e kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve, pra kryesisë së re të kuvendit, që është pikë e tretë e rendit të ditës. Edhe nëse betohen deputetët, nuk do të thotë që përmbyllet seanca dhe qeveria në detyrë e vazhdon punën”, ka thënë Murati.

Ai ka sqaruar se ministrat në detyrë, në rast se betohen për deputetë nuk mund të vazhdojnë mandatin si deputetë, pa u përmbyllur seanca, e që roli i tyre mbetet deri në përfundim të kësaj legjislature si ministra në detyrë.

Ndryshe, sot seanca konstituive ka filluar në orën 15:00 dhe ka tri pika të rëndit të ditës.

Pikë e parë e seancës do të jetë formimi i komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve, për t’u pasuar me betimin e deputetëve.

Seanca konstituive përmbyllet me zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit./GazetaExpress/