Haradinaj s’e pret Abazoviqin, shkak Demarkacioni dhe marrëveshja me Kishën Ortodokse Serbe

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, do të jetë lideri i vetëm opozitar që s’do ta takojë kryeministrin në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, teksa ai po e vazhdon vizitën tre ditore.

Klankosova.tv nga burime brenda AAK-së merr vesh se çështja e demarkacionit dhe marrëveshja me Kishën Ortodokse Serbe janë “arsyet” që Haradinaj ka mbyllur derën e selisë së partisë për Abazoviqin.

Kryeministri në largim i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, tash e tre ditë ka qëndruar për vizitë zyrtare në Kosovë ku ka takuar presdenten e vendit, Vjosa Osmani, kryeministrin, Albin Kurti dhe krerët opozitarë, kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Abazoviq, mes tjerash, ka takuar edhe klerikë fetarë gjatë vizitës, teksa këtë të shtunë do të ndalojë tek Devolli Corporation ku do të pritet nga pronari i korporatës, Shkëlqim Devolli në fabrikën e Prince Caffe.

Pas vizitës, Devolli si nikoqir do të shtrojë iftar për mysafirët nga Mali i Zi, meqë vizita e tyre po zhvillohet në muajin e Ramazanit.