Haradinaj sërish i reagon Kurtit: Nëse nuk ndërron kurs ndaj kërkesave amerikane, rrëshqet në tradhëti

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar përsëri për siç thotë ai, mënyrën e qasjes së kryeministrit Albin Kurti, në raport me vendimin për targat, i cili nuk është në një vijë, me rekomandimin e aleatëve ndërkombëtarë, ShBA dhe BE.

Haradinaj thotë se nëse nuk ndryshon diskurs lidhur me këtë çështje, Kurti rezulton të rrëshqas në tradhëti.

”Situata në Kosovë po përkeqësohet nga çasti në çast e Kryeministri nuk e ka idenë se çka po ndodhë me vendin e tij!

Sot i kam kërkuar që urgjentisht të ndërrojë kahje e ta shfuqizojë vendimin e tij për targat e të mos e rrezikojë stabilitetin në vend e në rajon. Kosova ka nevojë për marrëveshje për njohje me Serbinë, e jo për populizma që me to t’i shërojë egot e sëmura Kryeministri.

Ne nuk e kemi luksin që për tekat e tij, ta rrezikojmë ekzistencën e shtetit dhe lirinë e paguar shtrenjtë.

Nëse kryeministri nuk ndërron kurs të veprimit dhe nuk harmonizohet me kërkesat amerikane menjëherë, ai sigurt se po rrëshqet në tradhëti.

Unë s’kam çka i them tjetër përpos që nuk do të lejohet as ai e askush tjetër që ta rrezikojë të ardhmen e vendit.
Prandaj ndalu!”.