Konfirmon kryeprokurori: Gati gjysma e të arrestuarve janë zyrtarë policorë

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjilan, Jetish Maloku, në konferencën për gazetarë, ka konfirmuar se në aksionin e mbrëmjes sës të premtes në Karaçevë, janë arrestuar 12 zyrtarë policorë, raporton Mediafokus.info.

Ja fjala e Malokut, në konferencën për gazetarë, të së shtunës:

“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan, pas një hetimi të gjatë gati njëvjeçar, gjatë mbrëmjes së djeshme, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Inspektoratin Policor të Kosovës dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit, ka realizuar aksion në fshatin Karaçevë, komuna e Kamenicës, në rajonin e Prishtinës dhe rajonet tjera.

Hetimi ka filluar për shkak të pretendimeve se në atë pjesë janë zhvilluar aktivitete nga grupe të ndryshme kriminale, me elemente korruptive.

Nga ky aksion, me urdhër të prokurorisë, deri më tani janë arrestuar 35 persona të dyshuar, prej tyre 12 zyrtarë policorë, kontrabandistë, pronarë të kazinove etj. Ndaj tyre prokuroria brenda afatit ligjor do të kërkojë masat për sigurimin e të pandehurve në procedurë penale.

Gjatë aksionit janë rrënuar të gjitha kazinotë të cilat kanë funksionuar në atë zonë dhe janë sekuestruar gjësende të ndryshme, si prova materiale, që dyshohet të jenë përdorur në aktivitete kriminale.

Operacioni do të vazhdojë edhe më tutje, ku për të gjitha zhvillimet e mëtutjeshme do të jeni të informuar me kohë”.