Murati: Isa Kastrati tërë jetën e vet ishte një militant i paepur i çështjes kombëtare, lirisë e emancipimit shoqëror

Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati e ka përkujtuar dëshmorin Isa Kastrati, me rastin e rënies 21 vite më parë.

Murati ka shkruar se Isa Kastrati tërë jetën e vet ishte një militant i paepur i çështjes kombëtare, lirisë e emancipimit shoqëror.

Statusi i plotë:

Sot 21 vjet në një pritë të armikut në Bullaj të Marecit ranë heroikisht Isa Kastrati, Sokol Sopi dhe Afrim Vitia. Isa Kastrati tërë jetën e vet ishte një militant i paepur i çështjes kombëtare, lirisë e emancipimit shoqëror. As mosha e as 12 vite burg mbi peshën e jetës, nuk e ndalën të marrë armën e të dal në mal. Në Gueriljen “BIA” kishte detyrën e komandantit për moral e politikë. Ishte anëtar i LKÇK-së që nga marsi i vitit 1998. Me të, veç të plagosur, ishin edhe luftëtarët e rinj po sypatrembur Sokol Sopi e Afrim Vitia. Sot i kujtojmë me mall e respekt. Kosova dhe populli shqiptar nuk do t’i harrojë bijat e bijtë që dhanë çdo gjë që sot ne të gëzojmë lirinë e pavarësinë.