Haradinaj thotë se Qeveria Kurti po tenton të arsyetohet për Ligjin e Pagave përmes lëmoshës me nga 100 euro

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur për mbështetjen 100 milionëshe të Qeverisë Kurti për punëtorët e sektorit publik, privat, pensionistët dhe studentët.

Haradinaj tha se ky vendim i qeverisë është një lloj shfajësimi për mos ngritjen e pagave.

“Vendim mjaft i vonuar. Me këtë vendim nuk po synohet zgjedhja e problemeve. Por po synohet shfajësimi për mosrritjen e pagave, kur po ka vazhdimisht rritje të çmimeve. Po provohet që me lëmoshë, pra me këto shtesa që ofrohen vetëm një herë pra janë një-burimore, të arsyetohet Qeveria për pagat. Nëse nuk rriten pagat, atëherë me këto shtesa të Qeverisë ne do të mund të mbulojmë një borxh, qoftë borxh i energjisë elektrike apo diçka tjetër, por kjo është vetëm një herë, nëse pagat nuk ngriten”, ka deklaruar Haradinaj në RTV 21.

Ai ka thënë se AAK-ja ka propozuar më herët që t’ju ofrohen nga 100 euro të gjithë qytetarëve pa përjashtim, pasi që kështu nuk do të përjashtohej nga kjo ndihmesë asnjë kategori e qytetarëve.