Haraqija: Albin Kurti është fëmijë komunist, LDK nuk duhet t’i nënshtrohet atij

Ish ministri dhe ish bashkëpunëtori i presidentit të parë, Ibrahim Rugova, tash anëtar i LDK-së, Astrit Haraqija ka komentuar zhvillimet e fundit pas mandatimit të Albin Kurtit për kryeministër nga ana e presidentit, Hashim Thaçi.

Në një prononcim për Ballkani.info, Haraqija thotë se nuk beson që Vetëvendosje dhe Albin Kurti janë të interesuar të qeverisin me Kosovë.

“Ata s’kanë guxim, kanë hipoteka, realiteti është krejt ndryshe nga të qenit në opozitë me atë të qeverisjes. Po ta donte Kurti Kosovën, s’do të ngulte këmbë për pozita. Unë e kam njoftur tashmë, por me rëndësi ta sheh sovrani se kush është ‘debatiku kopje’”, ka thënë Haraqija.
I pyetur se a duhet ta pranojë LDK-ja ofertën e fundit të VV-së që të shkohet me 14 ministri ku 6 nga to do t’i drejtonte LDK-ja e 5 VV-ja, por që Konjufca të vazhdonte në pozitën e kryeparlamentarit, Haraqija thotë se LDK-ja ka qenë jashtëzakonisht e durueshme gjatë kësaj kohe.

“Jo, s’duhet ta pranojë këtë ofertë. LDK ja ka qenë jashtëzakonisht e durueshme me lojën e ‘debatikut kopje’. Nuk bën veç LDK-ja e cila që 30 vjet është dëshmuar se është per shtet, e jo për karrigë personale, assesi nuk bën që LDK-ja të lëshojë më pe. Me këtë po humb esenca e partisë. Pse gjithmonë ne për hirë të shtetit duhet të tërhiqemi, ndërsa lavdinë ta marrin gjithë të tjerët. Boll më”, ka thënë Haraqija.

Tutje ai thotë se Kosova nuk e ka luksin që prap të shkohet në zgjedhje. “VV-ja tash po bën filma se LDK-ja është fajtore, por unë mendoj që LDK-ja duhet ta marrë përgjegjësinë që i takon”.

I pyetur se nëse LDK-së i takon ta bëjë qeverinë nëse dështon VV-ja, kë i sheh si partner të kësaj partie në qeverisjen e ardhshme, Haraqija thotë se partia e Isa Mustafës nuk duhet të ketë vija të kuqe.

“Kur po munden të bëjnë me ‘kopjen e debatikut’, (fëmijë komunist) pse jo me orgjinalin. Këto parti janë në Kosovë, s’mund të marrim deputetë prej partive tjera. Për hirë të shtetit, LDK-ja nuk duhet të ketë vija të kuqe për partitë, por për programin qeverisës në mënyrë që shteti të ecë përpara. Pa LDK-në është dëshmuar se nuk ndërtohet shteti i Dardanisë. S’bën të bëhen prova të stilit ‘hajt se këta nuk i kemi provuar’. Më mirë një dreq që e njoh sesa një melaqe që i ka këmbët me shenja”, ka thënë në fund Haraqija.