Hasani i jep lajmin e keq Kurtit: As Gjykata Supreme nuk do të ndryshon vendimin e PZAP’it

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani ka deklaruar se Gjykata Supreme nuk do të ndryshon verdiktin apo vendimin e PZAP’it dhe KQZ’së në lidhje me certifikimin e kandidatëve të dënuar për deputetë.

Hasani ka thënë se Supremja nuk do ta ndryshon vendimin për mos certifikimin e kandidatëve për deputet që kanë pasur problem me ligjin në tri vitet e fundit.

Ai tha se ky vendim i PZAP’it ka qenë i pritshëm duke marrë parasysh vendimin e mëhershëm të Gjykatës Kushtetuese dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

“Verdikti nuk besoj se ndryshon, e kam thënë edhe më herët dhe po e përsëris, një prej të metave që kanë pasoja afatgjatë për rendin Kushtetues dhe juridik përgjithësisht në Kosovë është vendimi i Gjykatës Kushtetuese në sektorin që ka të bëjë me zgjedhjet dhe të drejtat zgjedhore”, tha Hasani në Kanal 10.

Ndryshe, Hasani tha se as ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani nuk mundet të amnistoj kreun e VV’së, Albin Kurti dhe të kandidojë për deputet në zgjedhjet e 14 shkurtit.