Hasani ia rikujton Kurtit: E di që nëse bie nga pushteti shkaku i dialogut nuk kthehesh kurrë më

Ish kryetari i Gjykatës Kushtetues, Enver Hasani, mbrëmë në një intervistë në “Euronews Albania”, ka folur mbi çështjet aktuale – udhëzimin administrativ për largimin e kryetarëvë në veri, asociacionin, takimin e nesërm në Bruksel dhe dëshminë e përfaqësuesit të HRW’së, Frederick Abrahams, në Gjykatën Speciale rreth raportit sipas të cilit UÇK’ja kishte shkelur rregullat e luftës.

Hasani tha se udhëzimi administrativ, si mënyrë për hapjen e rrugës për zgjedhje të reja në Veri, është tërësisht antikushtetues dhe antiligjor. Por sipas tij, edhe nëse do të ishte i tillë, merr kohë 3 deri në 4 muaj për zgjedhje.

“Rruga që është zgjedhur nga pushteti jonë për adresimin e çështjes së zgjedhjeve, ajo mënyrë kur nuk dëshiron të mos kryesh punë. UA është tërësisht antikushtetues dhe antiligjor, është uzurpim i kompetencave legjislative nga ekzekutivi. Edhe po të ishte sipas autorizimit kushtetues, merr 3-4 muaj kohë, pa e marrë anën politike, nëse do të dalin ose s’do të dalin serbët, sepse pastaj e ka fazën tjetër të deklarimit për revokim ose për tërheqje të kryetarëve të komunave”, tha ai.

Ndërkaq në lidhje me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe asaj të Ohrit, profesor universitar pajtohet me ambasadorin amerikan në Beograd, Christopher Hill.

“Ambasadori Hill tha se kena ra në lloç pak. Është e saktë. Pak në lloç por në drejtimin e duhur. Kurti është duke i zbatuar ato por idenë e ka mos po mundet me nxjerrë diçka sa i përket asaj që quhet sekuencim, mos me nxjerrë edhe naj dispozitë paralel me asociacionin”, deklaroi ai.

Ai komentoi deklaratën e kryeministrit Kurti për asociacionin, pasi tha se nuk është monoetnik, por bëhet fjalë për vetmenaxhim. Hasani thotë se kryeministri Kurti po e bën këtë që ta ruajë votën.

“Është pjesë e diskursit të tij për ta ruajtur votën. Nuk është hiç ashtu. Konventa kuadër për të cilën ai mendon ato nuk janë pjesë e marrëveshjes së Ohrit, pasi janë në Kushtetutën e Kosovës. Vetmenaxhimi është dokrinalisht dhe praktikisht, autonomi personale dhe kulturore. Krahas kësaj autonomie personale dhe kulturore, që koperturë e ka asociacionin, është edhe pjesa e autonomisë territoriale të kishës. Këto dy juridiksione sipas serbëve, trashëgimisë kulturore dhe historike , asnjë normë e kush dhe ligjeve të Kosovës nuk do të vlejë kur të fillojë implementimi i tyre”, u shpreh ai.

Ish kryetari i Kushtetueses tregoi edhe pritshmëritë e tij nga takimi i nesërm mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel.

Ai tha se Kurti e di që nëse e humb pushtetin për shkak të dialogut, nuk do të mund të kthehet “kurrë”.

“Unë pres që Kurti të nisë zbatimin, merr disa detyrime shtesë për implemetin të Bratisllavës, eventualisht naj pjesë a naj lëshim kah sekuencimi sa me ia rujt ftyrën. Por Kurti e ka të qartë se nëse del prej pushtetit si pasojë e dialogut, ai e din që në pushtet nuk kthehet më kurrë. Unë nuk shoh asnjë shenjë që ai s’don me zbatu por po kërkon kushte për të ruajtur votën dhe fytyrën e tij. Kjo është ideja e krejt diskurit të tij, dhe politikisht është krejt legjitime.”

Hasani u pyet për dëshminë e përfaqësuesit të Human Rights Ëatch, Frederick Abrahams, në Gjykatën Speciale, e cila më pas u vu pothuajse në dyshim nga Ben Emmerson, avokati britanik i ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli.

“Kur është promovuar ai raport, unë kam qenë themelues dhe drejtor i Qendrës për të Drejtat e Njeriut të UP’së. Pas promovimit, më patën thirr në kafe Fatmir Limaj dhe Rexhep Selimi, ishin të shqetësuar, thoshin çka janë këto vlerësime paushalle. Iu thashë atëherë ato vlerësime janë kot, janë fjalë të gazetave”, tha Hasani.