Hasani: Ka zvarritje të procesit, certifikimi i zgjedhjeve mund të zgjatë me muaj të tërë 

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani thotë se ka përpjekje për të zvarrit procesin e certifikimit të zgjedhjeve të 6 tetorit. Gjithë këto vonesa, sipas tij, janë të qëllimshme për arsye politike që priten këtë proces ta stërgjatin me muaj të tërë.

Hasani në një intervistë për KosovaPress, thotë se në bazë të dinamikës, zgjedhjet do të duheshin të përmbylleshin me datën 25 tetor. Ndërkaq sa i përket kontestimeve për mos numërimin e votave të ardhura nga Serbia, Hasani pohon se janë politike, për arsye se me numrin e tyre rritet trupi zgjedhor dhe Nismës i rritet pragu.

Hasani pohon se përfshirja e Listës Serbe në qeverinë e ardhshme është detyrim kushtetues dhe sipas tij pa pëlqimin e kësaj partie është problem me u imponuar ministra.

Për numrin e ministrive të qeverisë së ardhshme, Hasani thotë se numri 12 është aktuali për popullsisë e Kosovës, teksa theksoi nevojën që të bëhet një analizë e mirëfilltë se cilat ministri duhet të shuar dhe rintegruar.

Ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese po ashtu shprehu besimin e tij se qeveria e ardhshme do të formohet nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.