Ministria e Brendshme urdhëron forcimin e kontrolleve ndaj qytetarëve shqiptarë që kalojnë kufirin

Edhe pse ka kaluar gati një dekadë nga dita kur Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi udhëtimin pa viza në vendet e zonës Shengen për qytetarët shqiptarë, insitucionet tona të brendshme vazhdojnë akoma që të vështirësojnë më tej këtë proces, kur në fakt krejt e kundërta kërkohet nga insitucionet dhe aktet legjislative të Bashkimit Evropian.

Vetëm disa ditë më parë, Minitria e Brendshme me anë të Urdhërit nr 641 “Për forcimin e kontrollit të shtetasve shqiptarë që kalojnë kufirin shtetërorë”  ka nxjerrë një sërë kriteresh, ndalesash e pengesash për shtetasit shqiptarë që duan të kalojnë apo të qëndrojnë në vendet e zonës Shengen.

Ndër të tjera ky urdhër parashikon që për të gjithë shtetasit shqiptarë që do të kalojnë tashmë në vendkalimet oër të hyrë në shtetet e zonës Shengen, duhet bërë më parë verifikim i plotë dhe i hollësishëm mbi pajisjen me bileta vajtje-ardhje, pajisje me mjete të mjaftueshme  financiare, dhe disa kontrolle të tjera nga personeli i kontrollit që në fakt vetëm sa do të sjellin shtimin e burokracirave dhe krijimit të rradhëvë të kota sic rëndom ndodh në këto raste.

Ajo që duhet theksuar është fakti që ky urdhër, me të gjithë kriteret dhe detajet që përmban qoftë në intepretim juridik por edhe praktik krijon tendencë për shtimin e burokracirave dhe vështirësive e ndalimit të lëvizjes së lirë. Ky urdhër krijon hapësira për t’u interpretuar edhe si jokushtetues, pasi neni 38 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë përcakton qartazi se asnjë qytetar shqiptar nuk mund të ndalohet që të lëviz lirisht jashtë kufijve territorialë shtetërorë.

Pyetje lind: pse nuk u përforcua kontrolli në kohën kur mijëra shqiptarë dyndeshin dyerve të europës për të kërkuar azil? Dhe pse ky urdhër nuk u nxorr edhe kur u kërkua nga vendet europiane, por nxirret pikërisht sot?

Gazeta SHQIP