Hasani: Serbia po e zhvendos presionin në kurriz të Kosovës, Perëndimi s’do ta mbajë përgjegjëse për Banjskën

Katër muaj pas sulmit të paramilitarëve serbë në lokacionin e Banjskës në Veri, autoritetet e Kosovës vazhdojnë t’i kërkojnë SHBA’së dhe BE-së t’i bëjnë publike konkluzionet e hetimeve për sulmin terrorist”. Po ashtu kërkohet sanksionimi i Serbisë si sponsore e këtij agresioni.

Por, profesori Enver Hasani e thotë me bindje se Serbia nuk do të ngarkohet me përgjegjësi.

“Të vetmen përgjegjësi që ka Serbia, sipas kërkesës së bashkësisë ndërkombëtare, konsiston në dënimin e kryesve të aktit terrorist në Banjskë. Këtë do ta bëj Shteti serb në të ardhmen sepse çdo gjë do të monitorohet nga faktorët e jashtëm. Për këtë ka dhënë pëlqim vetë Shteti serb” thotë ai.

Teksa reflekton për ngjarjen që shënoi vitin 2023 në Ballkan, thotë se Banjska nuk ka pasur potencial të përshkallëzimit të metëjmë, por një efekt tjetër – fillimin e zbatimit me shpejtësi të zotimeve të marra në Bruksel dhe Ohër.

Ai nuk përjashton akte hakmarrëse për humbjet e serbëve atje, ndërsa e hedh poshtë skenarin e luftës. “Retorika e luftës është duke u bërë që nga fillimi për të legjitimuar formimin e autonomisë serbe politiko-territoriale. Asgjë tjetër nuk ka aty”, shprehet i bindur ai.

Hasani insiston tash e sa muaj se me arritjen e marrëveshjeve në Bruksel dhe Ohër, Kurti ka vënë themelet e krijimit të asaj që në të drejtën kushtetuese njihet si kushtetutë materiale. Sipas tij, ai ka hapur statusin e Kosovës dhe ka hequr dorë nga njohja reciproke. E interpretimi i Enver Hasanit, që për dy mandate ka udhëhequr Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, për Propozimin Europian për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të cilin Perëndimi pret që Kosova ta zbatojë, është mjaft shqetësues.

“Rendi që krijohet me këtë draft-statut është një rend i mbyllur juridiko – kushtetues, i cili nuk mund të ndikohet nga jashtë dhe as të deformohet pa pëlqimin e organit të vet përfaqësues – Kuvendit të Bashkësisë” thotë ai.

Hasani shprehet se ajo çfarë kanë propozuar evropianët s’mund të ndryshojë sepse është produkt i pashmangshëm i Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit.

Duke i komentuar hapat e fundit të palës serbe Hasani thotë se “Serbia po çon mesazhe në BE se është duke zbatuar zotimet e saj, siç janë targat, energjia, shumë shpejt besoj edhe ne raport me të pagjeturit dhe çdo gjë tjetër.

“Me këta hapa, Serbia po zhvendos presionin ndërkombëtar në tërësi në kurriz të Kosovës, veçanërisht në raport me implementimin sa më të shpejt të autonomisë politiko-territoriale serbe” thotë ai.

Tentimet për ta shtyrë Asociacionin duke mbajtur zgjedhje, sipas Hasanit, do t’i kushtojnë më shumë Kosovës.

“Kosova nuk fiton asgjë. Sa më shumë shtyhet zbatimi i zotimeve të marra në Bruksel dhe Ohër, aq më i rëndë do të jetë çmimi për Kosovën dhe perspektivën e saj”

Intervista e plotë:

Keni qenë një vëzhgues dhe komentues aktiv sivjet i zhvillimeve politike në vend. Përveç dialogut në Bruksel, Kosova dhe Serbia ose struktura brenda saj u përfshin në një incidente serioz siç ishte ai i Banjskës më 24 shtator? A kishte potencial këtu për një konflikt më të madhe edhe pse kjo u menaxhua në fund?

Hasani: Ekzistojnë tri narracione për rastin e incidentit në Banjskë. I pari është ai i Kosovës dhe që nuk përputhet me asnjë narracion tjetër. Sipas tij, në Banjskë ka pasur agresion të Serbisë ndaj Kosovës, i cili është zmbrapsur falë trimërisë së njësive elite të sigurisë dhe Policisë së Kosovës. Për këtë pushteti aktual ka ofruar prova, përmes medies, të cilat janë shoqëruar me një interpretim të njëanshëm dhe tërësisht politik. Këto prova – nëse dikush mendon t’i përdor për në çfarëdo procedure penale – janë të komprometuara dhe nuk bëjnë punë. Narracioni i dytë është i një ekstremi tjetër – ai i Serbisë zyrtare dhe i pushtetit atje. Sipas këtij narracioni, në Banjskë kanë rënë heroikisht tre serbë, duke mbrojtur pragun e shtëpisë nga sulmet e përditshme të pushtetit të Prishtinës ndaj serbëve lokalë. I treti narracion është ai ndërkombëtar, që është më i saktë dhe më afër realitetit: në Banjskë ka ndodhur një akt terrorist nga forca të caktuara paramilitare. Ky akt, sipas këtij narracioni, nuk mund të thuhet se mund t’i vishet Shtetit serb: pra, akti terrorist nuk ka qenë i nxitur, terroristët nuk kanë qenë të trajnuar, furnizuar, financuar ose mbështetur nga organet e Shtetit serb. Ky qëndrim mbështetet në ligjin ndërkombëtar, sipas të cilit për të ekzistuar përgjegjësia ndërkombëtare e shtetit, akti i dhunshëm në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar duhet t’i atribuohet (vishet) shtetit përkatës sipas kritereve objektive. Kriter i parë në këtë kuptim është që akti kundërligjor të jetë akt i shtetit dhe i tillë është kur e kanë kryer organet e shtetit (organet ligjvënëse, ekzekutive ose gjyqësore). Në rastin Banjska, një atribuim (veshje) e tillë e qartë mungon, sepse bëhet fjalë për akte të personave privat (grupe paramilitare), për të cilët shteti mban përgjegjësi vetëm nëse mund të vërtetohet se ka pasur kontroll efektiv ndaj tyre dhe akteve të dhunshme të kryera nga ta. Ky standard njihet si standardi “Nicaragua”. Për këtë arsye bashkësia ndërkombëtare nuk ka mbajtur dhe nuk do ta mbaj përgjegjës Shtetin serb për rastin Banjska: të vetmen përgjegjësi që ka Serbia, sipas kërkesës së bashkërisë ndërkombëtare, konsiston në dënimin e kryesve të aktit terrorist në Banjskë. Këtë do ta bëj Shteti serb në të ardhmen sepse çdo gjë do të monitorohet nga faktorët e jashtëm. Për këtë ka dhënë pëlqim vetë Shteti serb.

Për të gjitha këto arsye, rasti Banjska nuk ka pasur potencial të përshkallëzimit të mëtejshëm, përtej frikësimit të pushtetit në Prishtine, me qëllim detyrimin e tij për përshpejtim të procesit të dialogut dhe nisjes së implementimit të zotimeve të marra në Bruksel dhe Ohër, në rend të parë të zotimit për krijimin e autonomisë politiko-territoriale serbe në Kosovë. Se kjo është kështu është parë që në momentin kur dolën fotot e paramilitarëve serb duke lëshuar territorin e Kosovës, në një mënyrë të qetë, sikur të kishin qenë në një dasmë, jo në ushtrim të dhunës terroriste ndaj strukturave të pushtetit në Kosovës dhe qytetarëve të saj. Ju besoj e shihni që ka nis me shpejtësi të madhe implementimi i zotimeve të marra në Bruksel dhe Ohër, diçka që ka pikë referimi tragjedinë në Banjskë, ku humbi jetën heroi i Kosovës Afrim Bunjaku dhe tre paramilitarët serbë, shtetas të Kosovës.

Vitin po e përmbyllim me paralajmërime të Kryeministrit Kurti për një sulm të mundshëm nga Serbia. Ndërkohë pas secilës deklaratë të këtillë kohëve të fundit po vjen një reagim nga KFOR, i cili tregon se ata janë duke patrulluar në kufi. Si të lexohet kjo?

Hasani: Retorika e luftës e zotit Kurti lidhet me formimin e autonomisë serbe politiko-territoriale në Kosovë. Kjo ka nisur që nga qysh në fillim të dialogut në mandatin e dytë të qeverisë së tij. Luftë – me kuptim të angazhimit të formacioneve luftarake të dy vendeve për një kohë të gjatë dhe me karakteristika të një konflikti të armatosur – nuk mund të ketë. Nuk përjashtohet mundësia e ushtrimit të akteve hakmarrëse të serbëve lokalë për humbjet që patën në Banjskë. Diçka e tillë mendoj se është e pashmangshme. Por, e përsëris, asnjëherë nuk mund të ketë dhunë me intensitet të luftës në të cilën angazhohen formacionet e armatosura dy vendeve, strukturat e armatosura zyrtare të dy vendeve. Për pasojë, retorika e luftës është duke u bërë që nga fillimi për të legjitimuar formimin e autonomisë serbe politiko-territoriale. Asgjë tjetër nuk ka aty.

Komentues të ndryshëm këto paralajmërime për situata vështira në vend i shohin si propagandë të kryeministrit për shkak të situatës në të cilën ndodhet ai – duhet të nisë zbatimin e Asociacionit për çka është zotuar parimisht para liderëve të rëndësishëm evropiane. A kanë kuptim këto, pra a po i ekzagjeron Kryeministri gjërat për hesape të tij?

Hasani: Vlerësimet e tilla janë tërësisht të sakta, siç edhe e përshkrova më sipër.

Ju keni analizuar një draft – statut për Asociacionin që BE e propozoi duke alarmuar se do ta shkatërrojë rendin aktual kushtetuese të vendit. BE ose ndërmjetësi Lajçak tha se mund të bëhen rregullime në tekst. A mund të shmangen ato çfarë keni paralajmëruar?

Hasani: Unë nga dita e arritjes së marrëveshjeve në Bruksel dhe aneksit në Ohër e kam bërë të qartë se Albin Kurti ka vënë themelet e krijimit të asaj që në të drejtën kushtetuese njihet si kushtetutë materiale. Me këto dy marrëveshje, që janë një shkëputje e tërësishme me zotimet e vitit 2013 dhe 2015 të Kosovës, Albin Kurti ka vënë themelet e zhbërjes së shtetit të Kosovës: që tani ju i shini reagimet e Serbisë, e cila e bën të qartë se nuk do të ketë njohje dhe as pranim në OKB, sepse këtë e ka pranuar zoti Kurti në Bruksel dhe Ohër kur ka futur klauzolën “pa paragjykim ndaj statusit të Kosovës”. Paralel me këtë, Serbia po çon mesazhe në BE se është duke zbatuar zotimet e saj, siç janë targat, energjia, shumë shpejt besoj edhe ne raport me të pagjeturit dhe çdo gjë tjetër. Me këta hapa, Serbia po zhvendos presionin ndërkombëtar në tërësi në kurriz të Kosovës, veçanërisht në raport me implementimin sa më të shpejt të autonomisë politiko-territoriale serbe.

Me lejoni sërish të tregoj se çka është kushtetuta materiale që ka pranuar zoti Kurti. Dy elemente të kushtetutës materiale janë cilësi e saj dalluese në raport me kushtetutat tjera. I pari është elementi normativ material, i cili konsiston në sanksionim të një konfiguracioni të dhënë të pushtetit që reflekton fuqinë dhe organizimin relativ të grupit të dhënë shoqëror (populli, kombi, pjesa e kombit ose popullit, sekti fetar, grupi gjuhësor, klasor dhe kështu me radhë). Si i tillë, ky konfiguracion çdoherë është shprehje e marrëdhënieve të pushtetit, ku një ose më shumë grupe shoqërore arrijnë të imponojnë vetveten në raport me të tjerët. Ky grup arrin, me fjalë të tjera, të formësoj qëllimin politik të përcaktuar me kushtetutën formale në fuqi në mënyrë krejtësisht të ndryshme dhe kundërthënëse, duke i dhënë vetvetes dhe konfiguracionit të pushtetit një substancë tjetër normative kushtetuese, që është e ndryshme dhe në kundërshtim absolut me kushtetutën formale në fuqi. Këtë e bën Statuti për grupin shoqëror të posaçëm – serbët e Kosovës. Krahas këtij elementi normativ material, kushtetuta materiale ka edhe cilësinë tjetër. Ajo ka të bëj me përmbajtjen e saj esenciale (thelbësore). Në ndërkohë që elementi normativ material ka tëbëjë me marrëdhëniet materiale që qëndrojnë në themel të çdo strukture normative kushtetuese (formale ose jo formale), përmbajtja esenciale e kushtetutës materiale tregon se cila është përmbajtja (esenca apo thelbi) e normave materiale që krijohen: d.m.th. kush bën çfarë dhe cilat janë raportet në mes të niveleve të ndryshme të pushtetit, cili është roli dhe pozita e individit dhe grupi shoqëror në shoqëri dhe kështu me radhë. Ky element, përmbajtja esenciale e kushtetutës, pra, vepron si një qendër unifikimi për jetën e komunitetit – në rastin tonë komunitetit serb – që e dallon atë komunitet duke mbrojtur nga bota jashtme, nga komunitetet tjera që jetojnë në hapësira të tjera, si dhe duke organizuar nga brenda interesat e kundërta të komunitetit të tillë – bile edhe përmes dhunës – përmes saktësimit dhe mbrojtjes së interesave që konsiderohen si më sublime në raport me të tjerat. Përmbajtja esenciale e kushtetutës materiale jo vetëm që shpreh parimin fondamental të rendit tjetër kushtetues të komunitetit politik – i ndryshëm nga kushtetuta formale në fuqi dhe i kundërt me te – por edhe institucionalizon marrëdhënien e re në mes të forcave shoqërore qeverisëse dhe forcave shoqërore të qeverisura.

Këto që i përshkrova, pa asnjë dyshim, i keni të reflektuara qartë në secilën dispozitë të draft-Statutit të Bashkësisë së komunave serbe që pritet të vihet në jetë në kohën që vjen. Kjo nuk mund të ndryshoj sepse është produkt i pashmangshëm i Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, me të cilat zoti Kurti ka marrë përsipër në kurriz të Kosovës zotimin për rihapje të statusit të Kosovës – kur ka futur dispozitën për mos paragjykim të statutit të vendit të tij në raportet me Serbinë – si dhe ka hequr dorë nga njohja reciproke me Serbinë, si një parakusht thelbësor për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve që kemi me fqinjin tonë verior. Me këta hapa, zoti Kurti e ka zhveshur Kosovën nga çdo argument të mbështetur në ligjin ndërkombëtar, duke zhvlerësuar edhe fuqinë juridike të Mendimit këshillëdhënës të GJND për Kosovën. Ngjashëm pat bërë edhe Mbreti Zog me rastin e Shën Naumit, nëse ju kujtohet. Ai pat detyruar Kuvendin e Shqipërisë që të votoj dhënien e Shën Naumit Jugosllavisë, i cili me vendimin e Gjykatës Permanente Ndërkombëtare të Drejtësisë i kishte takuar Shqipërisë. Dallimi i vetëm është se tani nuk i afrohet Serbisë një pjesë e territorit, por krejt sovraniteti dhe integriteti i saj territorial.

Kryeministri e evitoi aktin e hartimit të propozimit të një draft-statuti për Asociacionin duke ua lënë ndërmjetësve ta bëjnë këtë me gjasë për t’i ikur përgjegjësisë. Këtë duket se po përpiqet ta bëjë edhe me vendimin për dërgimin e draft -statutit. A mund t’i ikë kësaj, apo vetëm qeveria e ka për detyrë ta çoj draftin për vlerësim në Gjykatë ?

Hasani: Sipas Aktgjykimit të vitit 2015 – i cili sot është në fuqi dhe përbën parametrin e vetëm për vlerësim të kushtetutshmërisë së formimit të Asociacionit/ Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, si në aspektin procedural ashtu edhe në atë material – Statuti duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese nga Qeveria e Kosovës, e cila nxjerr aktin juridik që quhet vendim, pra jo dekret, sepse dekret nxjerr Kryeministri. Nuk ka rëndësi kush e bën Statutin. Për më tepër, pas dërgimit për kontroll kushtetues, Qeveria ka të drejtë- kur t’i kërkohet nga Gjykata Kushtetuese për t’u shprehur për kushtetutshmërinë e Statutit – të mbroj një pozicion krejtësisht tjetër dhe të kundërt me secilën dispozitë të draft-Statutit. Gjykata në fund jep vendim e saj. Sikundër e shihni, po e përdori shprehjen “Asociacioni/bashkësia e komunave me shumicë serbe”, sepse kështu figuron në Aktgjykimin e vitit 2015 dhe në marrëveshjet e viteve 2013 dhe 2015. Draft-Statuti i propozuar tani nuk normon një asociacion, por një bashkësi të komunave serbe: në përmbajtjen e tij, ai është fund e krye një kushtetutë e re e serbëve të Kosovës, një kushtetutë materiale apo një kushtetutë e dytë e Kosovës që vlen vetëm për serbët lokal; kjo kushtetutë e re materiale qëndron paralel dhe në kundërvënie të plotë me secilën dispozitë të Kushtetutës së Kosovës, si kushtetutë formale aktualisht në fuqi. Entiteti politik që formohet me draft-Statutin e propozuar, ndërkaq, ka tiparet e autonomisë politiko-territoriale, por në fakt atributet e tij janë tërësisht shtetërore: funksionet e Bashkësisë së komunave serbe janë funksione shtetërore që i ushtron pushtetit qendror sipas Kushtetutës së Kosovës; në momentin e nisjes së implementimit të draft-Statutit, ato funksione ushtrohen nga organet e Bashkësisë së komunave serbe. Rendi që krijohet me këtë draft-statut është një rend i mbyllur juridiko – kushtetues, i cili nuk mund të ndikohet nga jashtë dhe as të deformohet pa pëlqimin e organit të vet përfaqësues – Kuvendit të Bashkësisë. Mosmarrëveshjet rreth ushtrimit të funksioneve të Bashkërisë së komunave serbe zgjidhen nga një mekanizëm ekstra-kushtetues, që ka formën e arbitrazhit, diçka e paparë në historinë kushtetuese dhe juridiko-ndërkombëtare evropiane: as në rastin e Qytetit të Lirë të Dansingut, të territorit Memel dhe rajonit Saar – në mes të dy luftërave botërore – ose të Qytetit të Lirë të Triestes, të Qytetit të Jerusalemit dhe rasteve të tjera të ngjashme kur janë internacionalizuar hapësirat e caktuara të shteteve sovrane dhe të pavarura – pas Luftës së Dytë Botërore – nuk kanë ekzistuar zgjidhje kaq të mbrapshta kushtetuese dhe juridiko-ndërkombëtare.

Ishte një lëvizje interesante nga Serbia e cila morri vendim që t’i pranojë targat RKS me të cilat u pajisën serbët e Kosovës muajve të fundit. Duket se dialogu po i jep disa rezultate që megjithatë tregojnë se jemi brenda një skenari që po zhvillohet. Si e shihni ju këtë ?

Hasani: Këta hapa të Serbisë janë të pritshëm: Serbia ka punë me BE, sepse ndaj saj ka marrë zotimet. Ajo ka nis të zbatoj pjesën dërrmuese të zotimeve të saj të marra në Bruksel dhe Ohër. Me këta hapa, ajo po hedh barrën e përgjegjësisë në Kosovë dhe kjo është keq për ne. Në fund, Serbia, por edhe vetë BE, do të raportojnë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB dhe në Këshillin e Sigurimit për marrëveshjet e arritura, në të cilat Kosova heq dorë nga njohja reciproke dhe nga paragjykimi për statusin e saj si shtet sovran dhe i pavarur, dy koncesionet më të shëmtuara që ka bërë Kosova nga viti 2011 e këndej. Këto koncesione, siç e thash, nuk çojnë veçse në zhbërjen graduale të shtetit të Kosovës të shpallur më 17 shkurt 2008.

Nëse ka tendenca për shtyrje të zbatimit të marrëveshjeve dhe dialogut pas zgjedhjeve të rregullta në Kosovë, BE dhe SHBA, çfarë do të përfitonte Kosova nga kjo ?

Hasani: Kosova nuk fiton asgjë. Sa më shumë shtyhet zbatimi i zotimeve të marra në Bruksel dhe Ohër, aq më i rënd do të jetë çmimi për Kosovën dhe perspektivën e saj. Në fakt, shtyrja dhe ngecja në zbatim janë rrugë e sigurt për zhbërjen e shtetit: me këtë Kosova dëshmon katërçipërisht se nuk plotëson njërin prej kushteve thelbësore për të qenë shtet në të drejtën ndërkombëtare por edhe anëtar i OKB – zotësia për zbatim të detyrimeve ndërkombëtare.

Çfarë do të përfitonte Serbia?

Hasani: Serbia tanimë ka fituar. Ajo ka rikthyer gjendjen para shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008: ka çimentuar mosnjohjen nga shtetet që deri dje kanë pasur dilema nëse duhet njohur Kosovën si shtet sovran dhe i pavarur; ka futur Kosovën në mekanizmat raportues të OKB, nga të cilat pat dal me shumë mund më 17 shkurt 2008. I vetmi autorizim me bazë në OKB ka qenë ai i sigurisë dhe mbrojtjes, dhe akoma ngelet në fuqi si i tillë, ku prezenca e KFOR-it është bërë me ftesë të Shtetit të Kosovës. Tani e tutje çdo ditë e më shumë ne do të ngelemi ne mëshirën e proceseve integruese euro-atlantike, ku Serbia ecën me hapa të sigurt dhe të shpejt, kurse Kosova ngelet prapa me vjet drite larg. I vetmi shpëtim, nëse mund të thuhet kështu, është nëse në të ardhmen ndodh ndonjë rirreshtim radikal në raportin ndërkombëtar të forcave, që sigurisht se reflektohet edhe në Ballkan, ku Serbia do të merrte anën e gabuar si në kohën e diktatorit serb Sllobodan Milloshevq. Një skenar i tillë edhe mund të ndodhë, por kjo paraqet spekulim dhe hedhje falli, për çka nuk kam vokacion dhe as vullnet. Asnjëherë nuk kam ndryshuar rrënjësisht pozitat e shprehura sipas rregullave të profesionit që mbaj dhe etikës së tij. Këtë nuk kam ndërmend ta bëj as tani duke hedhur fall e duke spekuluar për ngjarje që mund të ndodhin në të ardhmen./Express