Haxhi Krasniqi e humb titullin e kampionit të Evropës

Në Magdeburg të Gjermanisë boksieri nga Kosova, Robin Haxhi Krasniqi ka pësuar humbje nga boksieri gjerman, Stefan Härtel, në luftë për titullin e kampionit evropian në kategorinë super të mesme.

Dueli ndërmjet Krasniqit dhe Härtelit ishte shtyrë nga nëntori i vitit të kaluar, sepse ky i fundit nuk ishte i gatshëm për tu përballur, për shkaqe shëndetësore. Por, Krasniqi e nisi mirë meçin e sontëm, por në raundet në vazhdim ai nuk u tregua mjaft vigjilent, sidomos pasi edhe shpenzoi energji të shumta në fillim.

Hartel dukej jashtëzakonisht i përgatitur dhe kësisoj me një teknikë fantastike, triumfoi përballë boksierit kosovar me vendim unanim të gjyqtarëve pas 12 raundeve, 117:112, 116:112, 115:113.

Haxhi Krasniqi e humb titullin e Evropës në kategorinë super të mesme në boksin profesionist (EBU), dhe tashmë ‘rripi’ i takon Hartel.Gjermani tashmë fiton 18 nga 19 ndeshjet profesioniste, ndërsa Krasniqi pëson humbjen e pestë, derisa ka 49 fitore.