Haxhiu akuzon Kurtin e Sveçlën se falsifikuan dokumente për të shpëtuar Martin Berishajn

Gazetari Baton Haxhiu ka akuzuar Kryeministrin Albin Kurti dhe Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën se kanë falsifikuar dokumente për ta shpëtuar Ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishajn, pas skandalit financiar që shpërtheu në Slloveni, ku u përmend emri i tij.

Këto akuza, Haxhiu i ka bërë përmes një opinioni të publikuar në Albanian Post, ku ka komentuar vizitat e Sveçlës në veri të vendit

“Në këtë kuptim, vizitat simbolike të Sveçlës në Veri janë vetëm mbulim i faktit se tashmë janë duke u krijuar kushtet për zvogëlim të ushtrimit të sovranitetit efektiv të Kosovës në atë hapësire. Fundja, Albin Kurti fillimisht i dha praktikisht pavarësinë energjetike Komunave të Veriut nga Kosova dhe tani është duke u përgatitur edhe për dhënien e pavarësisë nga institucionet qendrore të sigurisë në Kosovë.

Këto të fundit, ndërkaq, në vend se të bëjnë ndonjë gjë të hairit në Veri të vendit, kanë qenë shumë të zënë në falsifikimin e dokumenteve për të shpëtuar kriminelin Martin Berishaj nga afera e tij multimilioneshe me kotillen e Rankoviç-it”, ka shkruar Haxhiu.

Para një jave, Agjencia Kundër Korrupsionit ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurori ndaj Berishajt për fshehje të dy bizneseve, që u zbuluan pas raportimeve për skandalin financiar.

Ndryshe, ka kohë që mediat në slloveni kanë “vluar” me raportimet për ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, meqë përflitej se diplomati kosovar dyshohej si i përfshirë në një skandal të shpërlajrjes së parave përmes kompanisë së tij të regjistruar në Mal të Zi.

Siç raportonin mediat në Slloveni, Berishaj dyshohej se kishte marrë 600 mijë euro nga dega e GEN-it në Beograd dhe se të njëjtat kishin përfunduar në “cash” tek politikani slloven, Robert Golob.

Vetë ambasadori Berishaj ka mohuar gjithçka, ndërkohë Prokuroria e Malit të Zi për Gazetën Express ka konfirmuar se kanë kryer hetime lidhur me rastin dhe sipas rezultateve preliminare ka rezultuar se s’ka bazë për ndjekje penale.

Gjithathtu nga Prokuroria Speciale e Malit të Zi kanë thënë se lidhur me transaksionet e parave nga GEN-i në llogari të firmës së Martin Berishajt nuk është gjetur asnjë parregullsi./Express/