Haxhiu: Debatet për dinarin janë “fake”, Asociacioni do të ketë valutë të veçantë

Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës (PKD), Bekim Haxhiu, thotë se debatet e prodhuara rreth dinarit janë lajme “fake”.

Kjo pasi që sipas tij Asociacioni do të ketë valutë të veçantë, pasi që në marrëveshjen e Ohrit, kryeministri Kurti ka pranuar që Serbisë t’i njihet financimi i komunave me shumicë serbe.

“Krejt lajmi për dinarin është lajm ‘fake’ për konsum politik të brendshëm. Në Kosovë ka pasur qarkullim edhe të valutave tjera edhe ata kanë paguar në institucionet bankare të Kosovës me euro, sepse euro është e vetja në institucion bankar, por çka fshihet prapa kësaj, prapa kësaj fshihet që në marrëveshjen e Ohrit njihet financimi i komunave me shumicë serbe nga Serbia. Pra, nëse ti në marrëveshjen e Ohrit ke pranuar që Serbia ta ketë financimin e drejtpërdrejtë për komunat me shumicë serbe, cila është relevanca në këtë rast. A do të paguajë në euro, a do paguajë në dollarë, dinarë? Cila është relevanca e kësaj, kur ti ia ke njohur të drejtën me intereferu drejtpërdrejtë në sistemin financiar në komunat me shumicë serbe”, tha ai në Tëvë1.

Haxhiu thotë se nëse Asociacioni do të ketë valutën e vetë e Kosova e kundërshton, atëherë sipas tij, kjo çështje do të vendoset në arbitrazh e jo në institucionet e Kosovës.

“Uroj që kjo pjesë të mos jetë temë e dialogut e që ‘Zijadnica’ e pranuar nga Kurti ta ketë edhe valutën e saj. Nëse lexoni marrëveshjet dhe hapat pas pesë viteve të konsolidimit të saj ose nëse vendos Asociacioni me komunat me shumicë serbe që të ketë valutën e saj, Kosova e kundërshton atëherë kjo çështje do të vendoset në arbitrazh, jo më në institucionet e Kosovës. Prandaj, debati i prodhuar për dinarin është ‘fake’ në raport me pranimin që Kurti e ka bërë në marrëveshjen e Ohrit”, shtoi ai.

Më 1 shkurt të këtij viti, ka hyrë në fuqi rregullorja e BQK-së, sipas së cilës euro është valuta e vetme për pagesat, që nënkupton ndalimin e përdorimit të dinarit serb.